Sporti

Ekskluzive | Drejtori i kombëtares rumune, Stoichita: Lojtarët e Kosovës luajnë në liga të forta, por nuk janë të frikshëm kur paraqiten me Kosovën

1 vitë më parë
nga:Lorik J

Mihai Stoichita, drejtori teknik i kombëtares së Rumanisë në futboll beson se kombëtarja e Kosovës ka lojtarë shumë të mirë individualisht, por që nuk janë shumë të mirë kur luajnë me kombëtaren e Kosovës.

Kombëtarja e Kosovës në futboll do të luajë nesër ndaj Rumanisë me fillim nga ora 20:45, në kuadër të kualifikueseve për kampionatin Evropian 2024.

Stoichita, drejtori teknik i kombëtares rumune potencon se lojtarët kosovarë luajnë në liga shumë të mira, por ai thotë se kur ata vijnë në Kosovë nuk janë edhe aq të frikshëm.

“Ekipin e Kosovës, unë e shoh më shumë me lojtarë si individualë. Unë shoh lojtarë që luajnë në ekipe shumë të forta në Evropë, por nuk janë aq të frikshëm kur luajnë me emrin e Kosovës. Kam frikë prej tyre, vetëm kur shikoj se me çfarë skuadrash luajnë, por në kombëtare nuk janë aq të frikshëm. Është shumë interesante se çfarë po ndodh me ta kur vijnë në kombëtare”, tha Stoichita për ‘GazetaBlic Sport’.

Më pas drejtori theksoi se Rumania ka ekip të bashkuar dhe kjo mund t’i dhurojë rezultat të madh nesër ndaj Kosovës.

“Unë kam shumë besim te djemtë tanë dhe fakti që jemi si një familje më jep besim se do të bëjmë një rezultat të madh në Kosovë”, potencoi Mihai Stoichita, drejtor teknik i kombëtares së Rumanisë.

Kujtojmë se të gjitha biletat për ndeshjen e nesërme janë shitur dhe atmosfera do të jetë fantastike në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

/GazetaBlic Sport