Lajme

Ekrem Hyseni prezanton projektet e “Podujevës Urbane”

09/28/2021 22:14
nga:Gazeta Blic

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, në takime me qytetarët llapjanë ka shpalosur pjesë nga programi i tij politik në disa lokalitete të komunës.

Para banorëve të lagjeve të qytetit, ai ka promovuar projektin për ngrohtoren e qytetit dhe ka shpjeguar efektet pozitive që ka ky projekt, për të cilin tha se do të realizohet gjatë mandatit të tij të parë.

Po ashtu, Dr. Ekrem Hyseni ka shpalosur edhe planet e tij për “Podujevën Urbane”, ku tha se përveç projektit të ngrohtores, rëndësi të veçantë i jepet edhe projektit të “Parkut të Pishave”, në të cilin parashihet të ketë hapësira të gjelbëruara, me kënde të lojërave për fëmijë, shtigje të ecjes dhe hapësira për veprimtari biznesore.

Ndërsa, në takimet e radhës, respektivisht në fshatrat Bradash, Dobratin, Surkish dhe Batllavë, Dr. Ekrem Hyseni ka prezantuar projektet në fushën e infrastrukturës, turizmit dhe bujqësisë, me ç’rast tha se do të fokusohet në mënyrë të veçantë.

Duke i falënderuar qytetarët për mbështetjen që po i japin, ai tha se programi i tij është me plot projekte të mëdha, i bazuar në kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, ndërkaq ekipin e tij e vlerësoi si fitues, me të cilin do ta qeverisë Podujevën në katër vitet e ardhshme.

Në fund të çdo takimi, ai theksoi se LDK-ja është në rrugë të mbarë të rikthimit në pozitën e saj origjinale – si e para në komunën tonë.