Deputeti i LDK-së, Ekrem Hyseni, pritet të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të Komunës së Podujevës.
Në një prononcim për Gazeta Blic, ai ka thënë se do të jetë kandidat nëse kështu vendosin strukturat e LDK-së në Podujevë dhe kryesia e partisë dhe se është i gatshëm për të marrë përgjegjësi.
“Se a do të jem kandidat për kryetar të Podujevës, vendosin strukturat e LDK-së në Podujevë, kryesia e LDK-së. Nëse ata e vlerësojnë se unë duhet të jem kandidati për Kryetar, normalisht që do t’i përgjigjem pozitivisht dhe nuk ju iku përgjegjësive, sepse nuk iu kam ikur asnjëherë. Do ta respektoj plotësisht vullnetin e tyre, por edhe vullnetin e qytetarëve të Podujevës”, ka thënë ai.
Hyseni pret që LDK të fitojë në Podujevë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, teksa ka thënë se janë mundësi që qytetarët t’ia pamundësojnë mbijetesën keqqeverisjes së VV-së në këtë komunë.
“Nga këto zgjedhje pres fitoren e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, ndryshimin dhe përmirësimin rrënjësor të jetës së qytetarëve. Zgjedhjet e 12 tetorit, janë mundësi ideale që qytetarët e Podujevës të japin besimin e tyre për një qeverisje të re, me njerëz të rinj e me transparencë të plotë. Mundësi jetike që t’ia pamundësojnë mbijetesën kësaj keqqeverisjeje, e cila u vu në shërbim të plotë të interesave të një grupi të ngushtë, të cilët vepruan vetëm për interesa puro personale e klanore”, ka theksuar ai për Gazeta Blic.
Hyseni shprehet i bindur se do ta mposhtë të keqen e do t’i ndalë keqpërdorimet, korrupsionin e nepotizmin.
Me të kryetar, thotë se Podujeva do të ketë qeverisje të pastër dhe do t’u kthehet qytetarëve.
“Unë mendoj se do mposhti të keqen. Do ta ndali keqqeverisjen, do ta ndali nepotizmin, do ta ndali keqpërdorimin, do ta ndali korrupsionin.
Me mua kryetar, Podujeva dhe qytetarët e saj do të kenë një qeverisje të pastër, me njerëz të rinj, profesionist të fushave, me zero korrupsion e nepotizëm, e mbi të gjitha do ta kenë transparencën, zhvillimin dhe përkrahjen e pa rezervë. Komuna do t’ju kthehet qytetarëve, e jo siç është tani grupeve të interesit”, ka deklaruar Ekrem Hyseni./Gazeta Blic/


