Sporti

Ekipi i njohur i Premierligës interesohet për Armando Brojën

07/20/2023 12:27
nga:Lorik J

Armando Broja nuk është pjesë e skuadrës së trajnerit Mauricio Pochetino në turin amerikan që po zhvillon Chelsea, si fazë përgatitore në vigjilje të sezonit të ri. Arsyeja zyrtare e “Bluve të Londrës” lidhet me faktin se sulmuesi i kombëtares është ende duke u stërvitur në mënyrë të personalizuar pas dëmtimit të rëndë që pësoi në ligamente dhe që e la jashtë fushave të lojës për pjesën e dytë të sezonit të kaluar.

Megjithatë, mediat zbulojnë se e vërteta është krejtësisht ndryshe dhe ajo lidhet vetëm me të ardhmen e Brojës. Sipas tyre, Chelsea është në negociata të avancuara me West Ham për shërbimet e 21-vjeçarit.

David Moyes është një “fans” i Brojës me trajnerin e “Çekanëve” që beson se sulmuesi shqiptar do t’i garantonte më shumë thellësi sulmit të skuadrës. Nga ana tjetër, Gianluca Scamacca apo edhe Michail Antonio të West Ham janë në merkato dhe Armando Broja do të kishte hapësira për të qenë titullar fiks i repartit ofensiv në skuadrën londineze.

Kujtojmë se West Ham fitoi Conference League sezonin e fundit dhe tashmë do të marrë pjesë në Europa League, me Brojën që do të ishte një alternativë më shumë për “Çekanët” në një sezon që pritet të jetë mjaft i ngarkuar.