Lajme

Ejupi: Lajmi më i mirë i viteve të fundit është dështimi i ndërtimit të termocentralit Kosova e Re

12/05/2025 20:59
nga:Sh R

Burim Ejupi nga INDEP, organizatë kjo e cila është marrë me temat energjetike, ka thënë se që nga viti 2006 e këndej planet e qeverive për energji nuk kanë qenë të mira, sepse kanë marrë parasysh vetëm një burim: prodhimin e energjisë elektrike nga thëngjilli.

Sipas tij, që nga atëherë shoqëria civile ka alarmuar për qasjen e gabuar të qeverive, ngase investimet duhet të orientoheshin kah energjia e ripërtëritshme dhe ulja e humbjeve në energji, ngase sot rreth 70% e energjisë së prodhuar e të importuar shfrytëzohet vetëm për ngrohje nga qytetarët.

“Lajmi shumë i mirë ka qenë fakti se ka dështuar ndërtimi i termocentralit Kosova e Re, ngase shtetet e tjera përreth nesh, përfshirë Maqedoninë, në vazhdimësi po shtojnë kapacitete të reja energjetike nga energjia e ripërtëritshme, ndërsa ne nuk kemi shtuar asnjë megavat, kaq për strategjinë e qeverisë për energji. Derisa ne po flasim, mbi 56% e energjisë në Maqedoni vjen nga burimet e ripërtëritshme; ne nisëm një projekt në Rahovec dhe ai dështoi. Planet kanë qenë që Kosova në 2019 të nisë me ankande për energji elektrike, kishte nënshkruar ministri Valdrin Lluka. Prej atëherë ankandi i parë u organizua në 2024, të tjerët janë shtyrë e vazhdojnë me u shty e investitorët e huaj po ikin, po shkojnë në Maqedoni e Shqipëri”, ka thënë Ejupi.

Sipas Ejupit, projekti i Rahovecit për energji solare, i vetmi në këto vite, sipas kontratës do të duhej të lëshohej në muajin maj, por nëse shkon në terren e sheh se atje nuk është bërë asgjë dhe kjo e bën të pamundur që ky projekt të realizohet edhe për gjashtë muaj, ashtu siç ishte paraparë.

“Mund të ndodhë që qeveria edhe t’ia shtyjë afatin e përcaktuar më herët, por kjo është e padrejtë sepse po e humb sensin e konkurrimit karshi kompanive tjera, sepse përveç tjerash si kriter për të fituar ankandin ishte edhe koha e realizimit të projektit. Ajo që ka ndodhur tek ne është për të ardhur keq, nuk kemi shtuar asnjë megavat nga prodhimi ynë i brendshëm, derisa konsumi e kërkesa për import është rritur shumë. Konsumi është rritur edhe për shkak se ndërtesat e reja burim të vetëm të ngrohjes po e kanë energjinë elektrike”, ka shtuar Ejupi.