Lajme

Egjipti dhe Katari paralajmërojnë: Plani i Izraelit për Rafahun shkel marrëveshjen e paqes dhe rrezikon zhvendosjen e palestinezëve

12/06/2025 23:12
nga:Sh R

Ndërmjetësuesit e Gazës, Egjipti dhe Katari, së bashku me gjashtë vende të tjera me shumicë myslimane, kanë ngritur alarm lidhur me planin e Izraelit për të hapur njëkahësisht pikën kufitare Rafah, duke lejuar vetëm daljen e palestinezëve drejt Egjiptit, ndërsa nuk do të lejohej kthimi i tyre dhe do të bllokohej hyrja e ndihmave humanitare.

Paralajmërimi vjen në një kohë kur lufta izraelite në Gaza vazhdon pa ndërprerje, me rreth 600 shkelje të armëpushimit të regjistruara gjatë shtatë javëve të fundit. Të shtunën u raportuan tre të vrarë në Beit Lahiya pas sulmeve të reja izraelite.

Ministrat e jashtëm të Egjiptit, Indonezisë, Jordanisë, Pakistanit, Katarit, Arabisë Saudite, Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe publikuan të premten një deklaratë të përbashkët, duke shprehur “shqetësim të thellë” lidhur me njoftimin e Izraelit se “pika Rafah do të hapet vetëm për daljen e banorëve nga Gaza drejt Egjiptit”.

Ky njoftim, bërë nga njësia ushtarake izraelite COGAT, konsiderohet shkelje e fazës së parë të planit amerikan për paqe, i cili parashikon që Rafah të funksionojë në të dy drejtimet.

Egjipti dhe vendet nënshkruese e dënuan ashpër këtë plan, duke theksuar “refuzimin e plotë të çdo përpjekjeje për zhvendosjen e popullit palestinez nga toka e tyre” dhe duke kërkuar që Izraeli të zbatojë plotësisht planin 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump, që përcakton hapjen e plotë të pikës Rafah në të dy kahet.

Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor sipas planit të Trump, autoritetet izraelite kanë vonuar hapjen e pikës kufitare Rafah për të lejuar qarkullimin e ndihmave të domosdoshme dhe të personave që kanë nevojë për trajtim mjekësor.

Izraeli ka arsyetuar vonesat me faktin se ende nuk janë kthyer trupat e të gjithë personave të kapur nga Hamas, si dhe me nevojën për koordinim me Egjiptin. Aktualisht, vetëm një trup i një të kapuri mbetet në Gaza, ndërsa rikuperimi është vështirësuar nga shkatërrimet e mëdha në enklavë të shkaktuara nga bombardimet izraelite.