Derisa vendet evropiane tash e një kohë kishin filluar përgatitjet për mungesën e gazit dhe problemet me energjeninë elektrike, teksa në vendin tonë duket të kishte çështje të tjera me rëndësi, përfshirë zgjedhjet lokale që sapo i lamë pas, përcjell GazetaBlic.
Energjia elektrike nga Shqipëria për Kosovën, transmetimi nis mëngjesin e së premtes
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka angazhuar një ekspert gjerman për sanimin e problemeve. Shtetit të Kosovës ai do t’i kushtojë plot 12 mijë euro në ditë, ose 248 mijë euro për tre javë.
Përveç këtij vendimi, Kuvendi i Kosovës, sot shpalli gjendje të jashtëzakonshme energjike për 60 ditët e ardhshme, çka do të thotë se për këtë periudhë, do të përballemi edhe me reduktime më të theksuara, në mënyrë që ta kemi më të lehtë tejkalimin e kësaj krize që ka kapluar mbarë evropën.
Këto janë masat që pritet të aplikohen pas shpalljes së gjendjes emergjente të energjisë
Lidhur me këtë, GazetaBlic ka kontaktuar me njohësin e energjetikës Trim Tërnava e gazetarin që merret vazhdimisht me energji, Agon Sinanaj.
Të dy këta besojnë se masat e miratuara sot nga ekzekutivi janë të mirëseardhura.
“Masat emergjente sado që janë të vështira, sidomos pjesa e reduktimeve të energjisë elektrike, janë opsioni i vetëm momental për sigurinë e operimit të sistemit elektroenergjetik në Kosovë”, tha Tërnava për GazetaBlic.
Në anën tjetër, gazetari Sinanaj beson se një faktor goxha i rëndësishëm do të jetë edhe koha, pasi sipas tij, nëse do të kemi temperatura të ulëta, atëherë sigurisht se konsumi do të jetë më i madh, pasi siç e dimë, një pjesë e madhe e banorëve e shfrytëzojnë rrymën si alternativë për ngrohje.
“Masat emergjente të miratura sot nga Qeveria e Kosovës, sado që janë të vonuara edhe nuk janë marrë në kohën kur kanë qenë sinjalet e para se kriza energjetike do të ndodhë edhe tek ne, sigurisht do të kenë efektet e tyre, por efekti i tyre për të qenë më i madh varet nga disa faktorë. E para është funksionimi i termocentraleve, apo stabilimenteve prodhuese të KEK-ut, gjatë dy muajve të ardhshëm. Jemi në dimër dhe dihet se konsumi arrin pikun deri në 1300 megavatë për orë, derisa kapacitetet prodhuese të KEK-ut në maksimum arrijnë 800 megavatë për orë. Çdo avari në blloqet e termocentraleve ekzistuese, siç ndodhi së fundi me bllokun B2, do t’i bënte krejt pa efekt këto masa.
Një faktor tjetër, jo më pak i rëndësishëm ka të bëjë me atë se si do të marrë koha këtë dimër. Nëse do të kemi temperatura të ulëta sigurisht se konsumi do të jetë i madh për shkak se dihet se në Kosovë rryma përdoret edhe për tu ngrohur. E një situatë ku konsumi i energjisë do të jetë i lartë, efekti i masave do të jetë gati i pavërejtshëm, marrë parasysh faktin se kapacitetet prodhuese nuk do ta mbulonin atë konsum”, tha fillimisht Sinanaj.
Tutje ai shtoi se rol të rëndësishëm pritet të luajë edhe shkëmbimi i dakorduar Kosovë – Shqipëri.
“Në përmirësim të gjendjes aktuale gjithsesi do të ndikojë kthimi i bllokut B2 në prodhim që është paralajmëruar të bëhet rikthimi i tij në janar 2022. Ky bllok e ka fuqinë e instaluar rreth 300 megavat/orë dhe ai do të prodhojë më së paku 250 megavatë për orë, që është thuaja një e katërta e konsumit aktual në Kosovë.
Ndihmesë të madhe në stabilizim do të ketë edhe këmbimi i energjisë elektrike me Shqipërinë, që do të thotë, se veç është saktësuar që do të na ndihmojë për vit të ri, ndërkohë që gjithsesi do të ketë këmbime edhe gjatë janarit meqenëse liqejt akumulues, ose kaskada e Drinit, është e mbushur si rrjedhojë e reshjeve të shumta të dhjetorit.
Me Shqipërinë Kosova do ta ketë më lehtë bashkëpunimin energjetik, sepse sikundër edhe deri tash, do të bëhet këmbimi i energjisë elektrike, do të thotë ne huazojmë tani kur jemi në krizë dhe e kthejmë në muajt e verës, me saktësisht gjatë periudhës qershor-shtator, kur në Shqipëri ka thatësira, ndërsa te ne kapacitetet termo-energjetike janë mëse të mjaftueshme”, përfundoi Sinanaj për GazetaBlic.
E në anën tjetër, kryeministri shqiptar, Edi Rama, që dje përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” konfirmoi ndihmën me energji elektrike për Kosovën për ditën e fundit të vitit dhe ditën e parë të vitit të ardhshëm.
“Duke e ndjekur me shqetësim krizën e rëndë energjitike që ka prekur Kosovën kërkova sot nga ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës,që familjeve në Kosovë të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës popullore të ndarjes së viteve!Shqipëria s’e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjitike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s’mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi!”, shkroi Rama.
Shqipëria i jep Kosovës energji elektrike për netët e festave
Duke e ndjekur me shqetësim krizën e rëndë energjitike që ka prekur Kosovën kërkova sot nga ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës,që familjeve në Kosovë të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës popullore të ndarjes së viteve!
— Edi Rama (@ediramaal) December 28, 2021
/GazetaBlic/