Lajme

“Ekzaltohet” Radoniqi, KQZ e prezanton si ngjarje me rëndësi globale anëtarësimin në një Komitet të organizatës që e anëtarësoi Daka

10/28/2024 17:57
nga:G C

I gjendur papritur në krye të KQZ-së në qershorin e 2021-es, kryesuesi Kreshnik Radoniqi gjeti një institucion të konsoliduar dhe me arritje të mëdha në organizimin e zgjedhjeve, ndonëse ai nuk është vërejtur.

Kryesuesi Radoniqi, për gati katër vite në drejtimin e KQZ-së nuk po arrin të lë gjurmët e tij si prijës i institucionit të zgjedhjeve.

Shpeshherë hapat e tij duken si një përpjekje për të kopjuar ish-pararendësen e tij, Valdete Dakën, të cilën e zëvendësoj në po të njejtën ditë që e shkarkoj presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani i kishte ofertuar Dakës që të jap dorëheqje të vullnetshme dhe në këmbim ajo do të pranonte mirënjohje publike, por siç kishte njoftuar kryetarja e KQZ-së, Daka, ajo kishte refuzuar që të bëjë një pazar të tillë me presidenten.

Pas katër vitesh të udhëheqjes së KQZ-së, ky institucion ka shënuar “suksesin e parë”, duke arritur të zgjidhet si anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Asociacionin e Zyrtarëve Zgjedhor Botëror, A-WEB. Edhe KQZ e Shqipërisë është zgjedhur në të njejtin komitet, por ky institucion nuk ka publikuar asnjë njoftim zyrtar. Për këtë ka njoftuar vetëm KQZ e Kosovës.

Ky sukes është prezantuar me fjalë të mëdha nga KQZ.

“Ky është një sukses i madh ndërkombëtar dhe një hap i rëndësishëm për fuqizimin e rolit të Kosovës në arenën globale të administrimit të zgjedhjeve dhe zhvillimin e standardeve demokratike” – thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Madje, lavdërimet për “suksesin” kalojnë edhe fuqinë reale të KQZ-së në veçanti, por edhe të Republikës së Kosovës në përgjithësi.

“Kosova tani ka mundësinë të luajë një rol më të madh në formësimin dhe përmirësimin e praktikave zgjedhore në nivel global, duke ndarë përvojat dhe duke përfituar nga bashkëpunimi me organizmat më të rëndësishëm zgjedhorë në botë” – thuhet në vazhdim të njoftimit.

Por, gëzimi i madh i Radoniqit dhe KQZ-së për zgjedhjen në këtë komitet, nuk do të ishte i mundur nëse KQZ nuk do të anëtarësohej në vitin 2013 në këtë Asociacion.

“Anëtarësia e KQZ në këtë mekanizëm është me të drejta të plota, me të drejtë vote, si çdo anëtar tjetër i Asociacionit. Selia e kësaj Shoqate, ku janë bashkuar 100 vende të tjera, do të jetë në Seul. Anëtarësimi i KQZ-së në Asociacionin e Organizmave Zgjedhorë Botëror (A-ËEB) është në kohën kur Kosova është në fazën e organizimit të Zgjedhjeve Lokale. Kryetarja e KQZ-së, Daka, vlerëson se kjo është një arritje e madhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Republikës së Kosovës” – thuhej në njoftimin e vitit 2013.