“Njëri prej projektligjeve të para që ne do ta sjellim në Kuvendin e Republikës do të jetë që mërgata jonë të votojë në Ambasada dhe Konsullata. Kështu që, nëse përsëriten zgjedhjet, do të jetë më ndryshe”.
Ky ishte premtimi dhe zotimi i Albin Kurtit më 4 shkurt të vitit 2021, vetëm dhjetë ditë para zgjedhjeve të mbajtura më 14 shkurt. Njëkohësisht, ky ishte edhe kërcënimi i Kurtit për opozitën.
Ky kërcënim ishte bërë gati realitet në natën e 2 prillit 2021, në kohën kur opozita nuk po i ndihmonte tash pushtetit të ri, Vetëvendosjes, që ta bënte kuorumin për zgjedhjen e presidentes, Vjosa Osmani.
Ky kuorum ishte bërë më 4 prill. Një ditë më herët Qeveria ishte tërhequr nga ndryshimi i shpejtë i ligjit për zgjedhjet. Aty parashihej që votimi për diasporën të mundësohej në Ambasada dhe Konsullata.
Në zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt, Kurtit nuk i ishte lejuar kandidimi për deputet, pasi që mbi të rëndonte vendimi i formës së prerë i dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit, por kjo nuk ia ndalonte atij që të votohej për kryeministër nga Kuvendi i Kosovës, dhe kështu kishte ndodhur.
Por, ky premtim dhe zotim i dhënë nga Kurti si kandidat për kryeministër, po mbetët vetëm i tillë, sepse në procesin e reformës zgjedhore që drejtohet nga Vetëvendosje, vetëm një numri të vogël të shetasve që jetojnë jashtë Kosovës do t’iu mundësohet të votojnë në Ambasada dhe Konsullata të Republikës së Kosovës.
Gazeta Blic ka siguruar draftin e ligjit të përgatitur nga komisioni ad hoc për reformën zgjedhore.
Në këtë projektligj, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka jetësuar premtimin e Kurtit, që të gjithë diasporës t’i mundësohet votimi në ambasada dhe konsullata të Kosovës.
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i është lënë ta përcaktojë se sa do të jetë numri maksimal që do të lejohet të votojnë brenda një Ambasade apo Konsullate të Kosovës në një shtet të caktuar.
“KQZ, përmes akteve nënligjore, përcakton kriteret dhe kushtet që duhet të përmbushin objektet e përfaqësive diplomatike për të shërbyer si hapësira votimi, si dhe përcakton numrin maksimal të votuesve që mund të votojnë, për secilën përfaqësi diplomatike”, specifikohet në pikën 6 të nenit 96 për votimin jashtë Kosovës.
Ky numër do të caktohet më vonë. Në Kosovë numri maksimal i votuesve në një vendvotim shkon deri në 900.
Aktualisht, Republika e Kosovës ka më pak se 30 Ambasada dhe 10 Konsullata. Shumë nga këto Ambasada dhe Konsullata ndodhen në shtete prej nga ka pak aplikime për votim jashtë Kosovës dhe nuk dihet nëse të gjitha mund të jenë të përshtatshme për të pritur votuesit fizikisht që të votojnë.
Jo vetëm që e gjithë diaspora nuk do të mundet të votojë Ambasada dhe Konsullata, por edhe ata që do t’iu mundësohet kjo gjë, duhet të votojnë brenda një dite të vetme dhe ajo do të organizohet një ditë para zgjedhjeve në Kosovë.
“Votimi në përfaqësi diplomatike, organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë”, specifikohet në pikën 4 të nenit 96 për votimin jashtë Kosovës.
Megjithkëtë, kjo nuk do të jetë mënyra e vetme e votimit nga jashtë Kosovës. Pasi që të regjistrohet një votues, ai do të mundet zgjedhë të votojë edhe duke u përcaktuar të dërgojnë fletëvotimin në adresë të kutië postare të KQZ-së në Kosovë ose duke dërguar fletëvotimin në adresë të kutisë postare të hapura nga KQZ-ja jashtë Kosovës.