Edona Thaçi, ish-basketbolliste e përfaqësueses së Kosovës, sot analiste, komentatore dhe reportere sportive, është bërë pjesë e USA Network për mbulimin e WNBA, duke shënuar një arritje të rëndësishme profesionale në karrierën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duke u bërë shqiptarja e parë komentatore në ligën elitare të basketbollit për femra WNBA.
Për Edonën, kjo arritje është shumë më tepër sesa një sukses personal. Ajo e përjeton këtë moment si shpërblim të punës së palodhshme dhe të çdo sakrifice gjatë rrugëtimit profesional që nuk ka qenë aspak i lehtë për të.
Ajo shpreson që ky sukses të shërbejë si frymëzim për vajzat shqiptare që të besojnë në vetvete dhe të ëndërrojnë më shumë, veçanërisht për ato që luajnë basketboll apo synojnë një karrierë në gazetarinë sportive.
Mesazhi i saj për brezat e rinj është i qartë: të ëndërrojnë gjëra të mëdha, të jenë të durueshëm, të besojnë në vetvete dhe të mos dorëzohen kurrë, pavarësisht pengesave, kështu ka thënë Edona për Federatën e Basketbollit të Kosovës.

