Që fëmijë, Edon Zhegrova kënaqej duke dribluar shokët e lagjes. Ishte thuajse një obsesion, aq sa më vonë u quajt “Messi i Kosovës”, për të theksuar cilësinë teknike dhe prirjen e tij të pandalshme për driblim, shkruan Gazetta dello Sport.
Sot, Zhegrova ka një nofkë tjetër: “Mister Zeppetta”, siç e ka quajtur Luciano Spalletti – një epitet që lojtari duket se e ka pranuar me kënaqësi, duke falënderuar trajnerin e tij.
Spalletti e gjeti Zhegrovën si një “objekt të harruar” në dhomat e zhveshjes së Juventusit dhe, për një kohë të shkurtër, e shndërroi në një armë të rrezikshme në fushë. Megjithatë, menaxhimi fizik i tij mbetet thelbësor.
Menaxhimi te Juventusi
Zhegrova vuan nga pubalgjia, një problem që e kishte mbajtur larg fushës për një periudhë të gjatë para se të transferohej në Torino. Kjo gjendje vazhdon të kërkojë kujdes të veçantë, pasi çdo rritje e tepruar e intensitetit mund të sjellë rrezik dëmtimi.
Spalletti u befasua pozitivisht nga paraqitja e tij e fundit, në një moment kur Juventusi kishte nevojë urgjente për ndryshim ritmi ndaj Pisas. Zhegrova hyri në lojë dhe për 35 minuta luajti në nivel të lartë, duke i dhënë skuadrës një dozë të madhe paparashikueshmërie dhe energjie. Ai ndryshoi rrjedhën e ndeshjes dhe u shpall lojtari më i mirë në fushë.
Programi i posaçëm i Zhegrovës
I afruar në fund të afatit kalimtar të verës, Zhegrova pati një periudhë adaptimi jo të lehtë te Juventusi. Pushimi i gjatë dhe nevoja për të kalibruar ngarkesat fizike bënë që Igor Tudor të mos mund të llogariste shumë tek ai në fillim: vetëm 36 minuta në tri paraqitje.
Situata ndryshoi nën drejtimin e Spallettit. Në 12 ndeshje, Zhegrova luajti 173 minuta në 8 paraqitje, duke fituar gjithnjë e më shumë besim. Kjo nuk ishte vetëm çështje besimi, por rezultat i një programi të veçantë pune, i ndërtuar nga disa departamente që punojnë në mbështetje të stafit teknik.
Përparimi fizik, 75% dhe ende në rritje
Në muajt e parë në Torino, Edoni i kushtoi rreth 70% të kohës punës fizioterapisë dhe 30% zonës së performancës. Sipas planit, ky raport është përmbysur në javët e fundit. Ai vazhdon punën e forcës, me fokus të veçantë në muskujt e poshtëm të barkut dhe gluteusët (muskujt e vitheve), për të mbrojtur zonat më të rrezikuara për një lojtar eksploziv dhe shpërthyes si ai.
Aktualisht, gjendja fizike e Zhegrovës vlerësohet në 75%, çka do të thotë se më e mira ende nuk ka ardhur.
Aspekti mendor, një armë shtesë
Vlerësime shumë pozitive kanë ardhur edhe nga mbështetja psikologjike. Zhegrova ka treguar dëshirë të madhe për t’u rikthyer në nivelin e tij më të lartë dhe është paraqitur në Torino me optimizmin e duhur për të përballuar një periudhë të gjatë rikuperimi.
Ai i ka përballuar ngarkesat e punës me mentalitetin e duhur, pa u ankuar për sakrificat. Njihet si natyrë optimiste, por është vazhdimësia në punë ajo që ka bërë diferencën më të madhe.
Tani, objektivi i Juventusit dhe i stafit teknik është i qartë: ta përgatisin Zhegrovën që të jetë në gjendje të luajë deri në tri ndeshje në javë.

