Shqipëria do të përballet me Hungarinë në kuadër të ndeshjes së parë të tetorit për kualifikimet e Kupës së Botës “Katar 2022”.
Kuq e Zinjtë do të udhëtojnë për përballjen me Hungarinë në “Puskas Arena” të shtunën me 9 tetor me fillim nga ora 20:45, shkruan GazetaBlic Sport.
Para kësaj ndeshje ka folur trajneri i Kombëtares Shqiptare, Edi Reja i cili tha se Shqipëria është e vendosur të qëndrojë në vendin e dytë.
Sa besoni në një tjetër rezultat pozitiv në Hungari?
Jemi duke kaluar një moment mjaft të mirë dhe renditemi të dytët në grup, vend që duam ta mbajmë deri në fund. E dimë vështirësinë e përballjes me Hungarinë, por vetëbesimi është mjaft i lartë në skuadrën tonë, ndaj jemi këtu për të bërë një ndeshje të madhe dhe për të qëndruar në vendin e dytë.
Keni pasur më tepër kohë për të përgatitur ndeshjen. A e keni vendosur formacionin, apo keni ende dyshime?
Kam disa dyshime dhe kemi edhe një stërvitje tjetër nesër, kur edhe do të vendos për formacionin. Kam një ide në kokë, por kam edhe dyshime, të cilat do t’i shuaj pasi të verifikoj edhe njëherë gjendjen fizike të lojtarëve. E rëndësishme është që kushdo të luajë, do të japë maksimumin, pasi këtë kërkoj nga lojtarët.
A mendoni se do të shihni të njëjtën Hungari me atë të para një muaji?
Duke njohur trajnerin Rossi, besoj që ata do të kërkojnë të marrin kontrollin e ndeshjes dhe të mos na lejojnë t’i godasim në kundërsulm. Sigurisht që duke luajtur në shtëpi, ata do të bëjnë diçka më shumë, por për të bërë më shumë, duhet të zhbalancohen dhe ne duhet të përfitojmë nga hapësirat që do të na krijohen. Duhet të jemi të zgjuar për të shfrytëzuar çdo hapësirë dhe rast që na jepet, për të ndëshkuar kundërshtarin.
/GazetaBlic Sport/


