Opinion

Edi Rama ose megalomani çmendurak në rrugë për ta zhbërë Shqipërinë e shqiptarët

09/23/2024 16:04
nga:Melihate Tërmkolli

Shkruan: Melihate Tërmkolli

Deklarata dhe ideja e Edi Ramës për krijimin e një “shtet islamik” brenda Shqipërisë, në Tiranë, është ideja më ogurzezë e më antishqiptare që ka njohur historia më e re e shqiptarëve.

Pavarësisht respektit për cilëndo fe e besim fetar, pra edhe për bektashijtë nga të cilët kemi emra të mëdhenj të Rilindjes kombëtare shqiptare, kjo nuk e arsyeton idenë çmendurake të marrëzisë politike megalomane të Edi Ramës për një shtet brenda Shqipërisë për këtë Urdhër fetar/tarikat islamik. Po të jetë kjo arsyeja, do të duhej bërë një Vatikan tjetër sepse dihet roli historik i shqiptarëve të besimit katolik. Madje, gjithë bota e din rolin e shqiptarëve iliro-dardan në civilizimin evropian, në rrënjët e tij, përveç neve, shqiptarëve. Po të jetë arsyeja e tolerancës e bashkëjetesës fetare të njohur historikisht ndër shqiptarët deri në këtë dekadën e fundit, kjo ide është e kundërta e saj.

Nga aspekti politik, kjo ide përbën fillet e copëtimit edhe të asaj Shqipërie “të vogël”, kur janë të njohura pretendimet e shteteve fqinje ndaj tokave shqiptare edhe sot.
Rasti i Himarës nuk është rastësi! Pë veriun në Kosovë, tashmë dihet!

Në këtë pikëpamje, kjo ide është legjitimimi dhe relativizimi i copëtimit të mëtejmë të tokave shqiptare i mbështjellë me veladon fetar duke nxitur edhe aty copëtim e ndasi me pasoja të paparashikuara.

Në raport me Kosovën, kjo do të përbënte një lehtësim të madh për “vëllaun” e tij Vuçiq që të përligjë kërkesat dhe agresionin e pandalshëm të tij për ndarje të Kosovës.

Askund në botë, as në Afrikë nuk do të gjesh kryetarë shteti e kryeministra që punojnë kundër shtetit e popullit të vet sikur te shqiptarët! Fatkeqësi e madhe kombëtare është kjo!

Derisa politikanët, sidomos në këtë pjesë të Evropës janë në luftë për zgjerim të territoreve, kryesisht me pretendime ndaj tokave shqiptare, megalomani Edi Rma në vazhdimësi gjendet në anën e armiqve të shqiptarëve, në anën e coptimit të shtetit e popullit shqiptar. Njëherë me “Open Balkan-in”, pastaj loja e rrezikshme me Himarën, me Sazanin, tani me një “shtet islamik” dhe në vazhdimësi me shpopullimin e Shqipërisë, me zbrazjen e saj nga shqiptarët.

Këtë “gjenialitet” çmendurak po ta përdorte në të mirë të shtetit e kombit, mbase do të dilte ndonjë gjë e mirë. Por jo! Asnjëherë nuk e dëgjuam nga ai ndonjë projekt apo ide të bashkimit të shqiptarëve, ndonjë ide moderne të funksionimit të shqiptarëve si komb dhe kthimin e tokave puro shqiptare të shpërndara kudo nëpër shtete ballkanike përgjatë historisë jo më shumë se 150 vjeçare, pra që nga Kongresi i Berlinit e këndej. Ende vetëm Shqipëria e Kosova mbeten shtete të kufizuara në të gjithë kufijtë e tyre me shqiptarë e toka shqiptare të grabitura nga të tjerët.

Në fund të fundit, kush është Edi Rama apo kushdo tjetër në vend të tij, që ta marrë të drejtën për ta copëtuar Shqipërinë apo Kosovën?! Edhe 5 mandate tjera po t’i ketë, ashtu si paraardhësit e tij që e mbajtën Shqipërinë për më shumë se 50 vite nën skllavëri, në terror, në izolim, në skamje, në varfëri e mjerim, prapë do të shkojë, do të ikë.

Shqipëria e Kosova mbeten!

Ashtu siç po mbeten edhe pasojat e mëdha të gabimeve e tradhtive të politikanëve shqiptarë të cilat nuk po arrijnë t’i shlyejnë gjenerata të tëra.

#kosovadardania