Lajme

Edhe viti 2024 përfundoi pa reforma në drejtësi

01/04/2025 11:00
nga:Y I

Krahas nismave ligjore të ndërmarra për reformën në drejtësi, frytet e tyre nuk u panë as në vitin 2024. Njohës të drejtësisë vlerësojnë se sistemi i drejtësisë dështoi të reformohet dhe rezultate konkrete nuk u panë as në luftimin e korrupsionit, ndërsa sfidë mbetet mos emërimi i kryeprokurorit të shtetit.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala thotë për KP se Qeveria dështoi t’i bëjë reformat e premtuara në sistemin e drejtësisë.

Hulumtuesi i IKD-së e sheh problematik faktin që tash e dy vjet Kosova vazhdon të jetë pa kryeprokuror të shtetit. Sipas tij Kosova duke mos miratuar strategjinë kombëtare kundër korrupsion i kanë munguar rezultatet edhe në luftimin e kësaj dukurie negative.

Edhe Viona Bunjaku, hulumtuese në Lëvizjen FOL, thotë se në vitin 2024 nuk u shënuan rezultate për reformën në sistemin e drejtësisë. Bunjaku nënvizon se institucionet e drejtësisë vazhdojnë të përgatisin aktakuza të dobëta e mos të shqiptojnë dënime meritore.

Bunjaku konsideron që Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe presidentja Vjosa Osmani kanë luajtur me pozitën e kryeprokurorit të shtetit, i cili nga 2022 është me ushtrues detyre.

Sistemi i drejtësisë në vend gjatë 2024 u karakterizua edhe me polemika në mes të institucioneve qeveritare me ato të drejtësisë. Komentimet e ekzekutivit karshi punës së prokurorive dhe gjykatave po konsiderohen për keqardhje dhe ndërhyrje në punën e tyre.

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala thotë se deklaratat e tilla e kanë dëmtuar imazhin e institucioneve të drejtësisë.

Përplasjet në mes të pushtetit qeveritar dhe atij të drejtësisë nuk janë aspak të hijshme për Viona Bunjaku nga Lëvizja FOL.

Se gjendja në sistemin e drejtësisë nuk është e mirë e pranon edhe vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila thotë se qytetarët vazhdojnë të mos kenë besim në institucionet e drejtësisë.

Raporti i EULEX-it për monitorimin e sistemit të drejtësisë gjatë 2024 ka treguar se trajtimi i rasteve të profilit të lartë nuk kanë shënuar progres, e disa prej tyre rrezikojnë parashkrimin.

Në bazë të këtij raporti për institucionet drejtësisë sfidë mbetet edhe produktivitet i seancave, ndërsa, paraburgimi po vazhdon të përdoret në mënyrë të tepruar.

Ministria e Drejtësisë ka shtyrë përpara projektligje që realizojnë reformën në drejtësi. Derisa për procesin e vettingut përgatitjen e bazës ligjore, ekzekutivi e nisi në tetor 2021 ku u miratua koncepti i dokumentit për vettingun.

Më pas për këtë koncept-dokument u kërkua mendimi nga Komisioni i Venecias i cili fillimisht rekomandoi verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe prokurori.

Pas hartimit të amendamenteve kushtetuese nga 40 deputetë të Kuvendit, kryeparlamentari Glauk Konjufca, në mars 2023 dërgoi amendamentet për vlerësim në Kushtetuese. Kjo e fundit në fund të dhjetorit të vitit të kaluar i hapi rrugë vettingut në drejtësi.