Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 26 qershor, që kërkonte përfundimin e procesit brenda 30 ditësh.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes Fol, e cilëson këtë situatë si një “rrethanë të çuditshme juridike”, duke theksuar se nuk janë përcaktuar pasojat për mos-respektimin e afatit dhe shtoi: “Nëse përfaqësuesit e subjekteve politike nuk ndërmarrin vetë masa për ta ndryshuar këtë praktikë të veprimit, atëherë ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, në mungesë të vullnetit politik për ta respektuar dhe zbatuar, nuk ka ndonjë efekt juridik.”
Ajo sugjeroi që, për të zhbllokuar situatën, është e nevojshme një marrëveshje politike, ku barra bie mbi partinë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Nga ana tjetër, Vullnet Bugaqku nga KDI shprehu mundësinë që Gjykata Kushtetuese të interpretojë nenin 82 të Kushtetutës dhe ta obligojë Presidenten që të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhje të reja, nëse afati 30-ditor nuk respektohet.
Bugaqku tha: “Gjykata mund të konstatojë se është shkelur Kushtetuta e Kosovës dhe t’a interpretojë frymën e nenit 82 të Kushtetutës dhe t’a obligojë Presidenten që t’a shpërndajë Parlamentin dhe t’i shpallë zgjedhjet e reja.”
Ndërsa, Avni Arifi, ish-ambasador, shprehu pesimizëm duke thënë: “Kushtetuesja as Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk respektohet nga partia në pushtet. Ky është fakt. Nëse Kushtetuesja i plotëson kërkesat e LVV-së që Albulenën t’a bëj kryeparlamentare, VV-ja e respekton vendimin. Çfarëdo vendimi tjetër nuk respektohet dhe Kosova hyn në territor të panjohur”, tha ai./GazetaBlic/


