Lajme

“Edhe Qeveria ka faj për ikjen e qytetarëve, punëtorët po i shohin vendet e Evropës si shtëpi më të mirë se Kosovën”

01/25/2024 08:49
nga:G B

Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica, në një intervistë për Gazeta Blic ka thënë se edhe Qeveria ka faj për ikjen e punëtorëve nga Kosova.

Ai thotë se Qeveria nuk ka bërë mjaftueshëm për punëtorët e subvencionimin e tyre e të bizneseve.

“Patjetër që ka faj. Unë e kam cekur që nëse vitet e fundit i kemi formalizuar punëtorët, kur është bërë subvencionimi i punëtorëve e bizneseve, ne i kemi pasur disa parakushte që të ketë kontratë për periudhë 12 mujore, në mënyrë që të përfitojnë edhe në subvencionin tjetër të ardhshëm dhe kjo i mbajtur pakëz edhe bizneset strikte në paraqitjen e formalizimit të punëtorëve. Por, në anën tjetër ka pasur edhe rritje të ankesave ose raportimeve pranë Inspektoratit të Punës, që janë ankesa të punëtorëve për kushtet e punës. Qeveria në këtë drejtim nuk ka bërë mjaftueshëm për sektorin publik ose nëndegëve të sektorit publik, ashtu që të mund t’i kontrollonte bizneset që t’i respektojnë pushimet ditore, javore e të gjitha këto kërkesa që i kanë, sa për qind ka pa kontrata, t’i trajtojnë këto raportime. Nëse jemi në një situatë dhe nuk bëhet asgjë, lë shumë për të dëshiruar”, shprehet Vranica.

Ai përmend se Qeveria për vitin 2024 në buxhetin e shtetit si grante për biznese ka ndarë vetëm 1 për qind, që është pak.

“Nëse shohim projeksionin tjetër sa ndahet për grante për bizneset, ndërmarrjet të vogla e të mesme, për vitin 2024 është vetëm 1 për qind e buxhetit për to, që i bie diku 30 milionë. Fokusi i Qeverisë me këtë buxhet është te subvencionet dhe investimet kapitale. Janë masa që nuk po ndikojnë mjaftueshëm si rol i dorës së shtetit në rehabilitimin e kësaj situate ekonomike. Pra, bizneset sidomos sektori privat është duke ia dalë vetanakisht dhe sa do të mund të mbijetojë do të shihet”, vlerëson Arian Vranica.

Duke folur për platformën Superpuna të Qeverisë, me të cilën ajo mburret për punësim të të rinjve, ai përmend anët pozitive e negative.

“I ka anët pozitive por edhe anët negative, pikërisht kjo që s’po iu rrihet gati me masa mbështetëse ose më atraktive ndaj bizneseve, ndoshta ndikon që të përdoren edhe këto mundësi alternative për punësim, si Superpuna. Duhet parë e monitoruar më shumë. Nuk ka kontroll institucional por duhet edhe suport sepse duhet ta shohim njëri-tjetrin si aleat dhe nëse nuk e shohim kështu, secili do të frikësohet nga tjetri dhe kjo pasiguri e përçon edhe të punëtori”, potencon ai.

Vranica thotë se në vendet e Evropës qytetarët e Kosovës që shkojnë do ta kenë të vështirë, por që ata po e konsiderojnë si shtëpi më të mirë se Kosovën që është vendi i tyre.

Andaj, ai thekson se duhet bërë Kosovën vend më të mirë, më të jetueshëm, teksa shton se këtu ka perspektivë më të madhe se në vendet tjera.

“Normal që është vështirë me jetu në Gjermani sepse ka rregulla, sistem tjetër por punëtorët po e konsiderojnë një lloj shtëpie më të mirë se vendin e vet, e ne duhet ta bëjmë vendin tonë shtëpi më të mirë, sepse edhe për punëtorët, edhe për bizneset, nuk ka një vend si Kosova që ta sigurojë një lloj të ardhme të përshtatshme në aspektin kulturor, edukativ, arsimor e të gjitha këto. Mendoj se ka perspektivë të madhe që mungojnë në vendet, andaj duhet bërë bashkë dhe ta bëjmë vendin tonë më të mirë, më të jetueshëm dhe më të qëndrueshëm”, deklaron Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve, Arian Vranica./Gazeta Blic/