Lajme

Edhe Petkoviqit i djegin akuzat ndaj Vuçiqit, e quan Kurtin “Hitler i vogël”

04/25/2022 14:32
nga:Astrit Gashi

Drejtori i të ahtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka vlerësuar sot se i vetmi që paraqet rrezik për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, siç tha ai, është “Hitleri i vogël ballkanik”, Albin Kurti.

Në një komunikatë për media, Petkoviq theksoi se Kurti “ëndërron që ta pastrojë Kosovën nga serbët”.

“Në ëndrrat dhe planet e tilla të Hitlerit, ai shqetësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili po lufton si luan për interesat e popullit serb në Kosovë , i cili nuk do të lejojë askënd që të pastrojë etnikisht popullin tonë nga Kosova”, tha Petkoviq.

Siç shtoi ai, kjo është arsyeja e sulmeve të përditshme të Kurtit ndaj Vuçiqit, i cili, siç shton Petkoviq, “ka dëshmuar përkushtimin e tij për paqen dhe stabilitetin rajonal, për ndërtimin e besimit dhe bashkëjetesës paqësore”.

“Ndërsa Beogradi po i ndihmonte serbët dhe shqiptarët, Prishtina po rinovonte shtëpinë përkujtimore të bashkëpunëtorit nazist Xhafer Deva, dhe përderisa Hitleri i vogël dëshiron të bëjë “Shqipërinë e Madhe”, Beogradi është në favor të një “Ballkani të Hapur” dhe përderisa refuzon të formojë Asociacionin e Komunave Serbe si garantues të paqes dhe stabilitetit, Kurti po e dërgon ROSU-n në komunitetet serbe. Prandaj po i them Hitlerit të vogël se Aleksandar Vuçiq do të mbetet makthi i tij, sepse ai kurrë nuk do ta lejojë të pastrojë Kosovën nga serbët dhe të realizojë idealet e Kosovës etnikisht të pastër”, tha Petkoviq.

Më herët në të njejtën fryme u deklarua edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, i cili gjithashtu e quajti e ka quajti Kurti “Hitleri i vogël ballkanik”.

Selakoviq ka theksuar se “Kurti ëndërron vetëm të pushtojë veriun e Kosovës dhe të krijojë Shqipërinë e Madhe”.

“Derisa Aleksandar Vuçiq ndjek një politikë që vendos sigurimin e paqes dhe stabilitetit jo vetëm si synim kombëtar të Serbisë, por gjithashtu sheh një ruajtje të paqes shumë më të gjerë të të gjithë rajonin, duke ndërtuar nisma rajonale si Ballkani i Hapur, duke ndërtuar autostrada, të cilat gjithnjë e më shumë lidhin kryeqytetet e rajonit”.

Petkoviq dhe Selakoviq reaguan ndaj një postimi të cilin Kryeministri Kurti e postoi të dielën në Facebook, ku nder të tjera shkroi se në këtë kohë kur e gjithë bota demokratike është distancuar nga Putini, fqinji ynë verior organizon tubime mbështetëse për Putinin duke i thurur lavde e duke arsyetuar krimet e tij në Ukrainë, duke e cilësuar Presidentin e Serbisë si Putin të vogël.

“Miqtë e tij në Serbi e Republika Srpska synojnë ta joshin Rusinë në Ballkan e për Ballkan. Në Ballkanin Perëndimor, Serbia mbetet vendi i vetëm në Evropë i cili refuzon të sanksionojë Rusinë e siç e pamë këto ditë, madje është edhe e gatshme të braktisë procesin e integrimit në BE vetëm për t’i qëndruar besnik Putinit. Me mikun e Putinit në Republika Srpska të Bosnje Hercegovinës dhe Putinin e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar”, ka shkruar Kurti.