Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri një ditë para se të mbahet seanca ku do të shqyrtohet plotësim ndryshimi për trustin, ka bërë thirrje që deputetët ta votojnë atë, raporton Gazeta Blic.
Tahiri ka thënë se në mungesë të alternativave nga Qeveria dhe përballë gjendjes së renduar sociale, tërheqja e një pjese të parave të TRUSTIT është një masë e domosdoshme për të lehtësuar ballafaqimin e qytetarëve me këtë gjendje.
Sipas tij shumica duhet të votojnë PËR për shkak se nuk është betejë politike pozitë opozitë , por kërkesë e qytetarëve të vendit.
Thirrja e plotë:
Në mungesë të alternativave nga qeveria dhe përballë gjendjes së renduar sociale, tërheqja e një pjese të parave të TRUSTIT është një masë e domosdoshme për të lehtësuar ballafaqimin e qytetarëve me këtë gjendje.
Mundësia për të tërhequr një pjesë nga paratë e kursyera në këto rrethana, ka qenë kërkesë e drejtpërdrejtë e qytetarëve, prandaj i ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe veçmas ata të mazhorancës, që nesër ta votojnë projektligjin që mundëson një gjë të tillë.
Kjo nuk është betejë politike por domosdoshmëri konkrete dhe kërkesë e të gjithë qytetarëve pa dallim.


