Janë 438 mijë e 335 votues (50.28%) që kanë kërkuar ndëshkimin e krimit dhe korrupsionit në këtë shtet. Në mesin e tyre, edhe unë.
– Kur rrezikon shëndetin e popullatës me mish të skaduar;
– Kur e bën çmimin e vajit më të shtrenjtin në botë dhe e fsheh në magazinë për të zhvatur qytetarët;
– Kur përfiton miliona nga buxheti në emër të pandemisë- prapë nga xhepi i qytetarëve;
Kur jep donacione për ushtri pasi e ke sjellë në prag të falimentimit një ndërmarrje shoqërore duke ia marrë dhjetëra miliona;
– Kur nis e të duket vetja “zot”,
– Kur harron se ekziston një forcë më e madhe që na e ka caktuar riskun;
Dhe shumë arsye të tjera që nuk ka hapësirë me i numëru, atëherë nis dhe të pengojnë edhe zërat si unë që nuk thonë kurgjo ma shumë se të vërtetën. Nisin të dhembin veshët, e jo ndërgjegjja! Fajtor të duket çdokush tjetër, pos vetvetes. Sepse, lloji i këtyre e njohin të vërtetën për vetveten më mirë se çdokush tjetër. Por, nuk duan që atë ta kuptojnë të tjerët. Ju pengon kur ajo thuhet zëshëm. Jemi shoqëri e tillë – nuk na tremb ajo që dimë ne për veten, por ajo që thuhet në publik, apo ajo që dinë të tjerët për ne…
Të vërtetën nuk mund ta vrisni, as nuk mund ta heshtni! Atë e dinë së paku 438 mijë e 335 votues që kanë vendosur t’i japin mundësinë e fundit këtij vendi të jetë shtet ligjor ku krimi dhe korrupsioni nuk do të jenë shenjë identifikuese. E dinë edhe ata që duhet të heshtin nga zori dhe të veprojnë ndryshe. Shumëçka në këtë shtet dihet, por nuk thuhet!
Sidoqoftë, unë nuk jam vetëm! Nuk jam i pambrojtur! Në çdo hap e kam me vete Zotin, fuqisë të vetme që i përkulem. Si dhe vullnetin e hekurt që të kontribuojë sadopak që gjërat të kthehen mbarë në këtë vend. E, bashkë si unë ndjejnë qindra mijëra të tjerë që besimin ia kemi dhënë Albin Kurtit.