Vatikani ka zbuluar sot makinën e re që do të përdoret për të transportuar Papa Françeskun, një Mercedes-Benz elektrik me kabinë të hapur.
Makinën e re elektrike, e cila ka sedilje më të ngritur nga e cila mund të shohë më mirë, Papa Françesku do ta përdorë kur të përshëndesë pelegrinët në Sheshin e Shën Pjetrit.
Makina është një version i modifikuar elektrik i “G-Class” luksoz të përmasave të mesme të prodhuesit gjerman të automjeteve. Ajo do të ketë një sedilje më të ngritur për Papën, në mënyrë që turmat ta shohin më lehtë.
Automjeti është me ngjyrë të bardhë, ngjyra tradicionale e makinës së Atit të Shenjtë dhe ka një dorezë ku Papa mund të mbështetet për të mbajtur ekuilibrin kur qëndron në këmbë.
“Çdo detaj është perfekt”, tha Sten Ola Kalenius, CEO i Mercedes-Benz Group.
“U deshën qindra orë punë për të ndërtuar një makinë papale të veçantë“, shtoi ai.
Vatikani nuk e ka specifikuar se kur do të prezantohet automjeti i ri, ndërsa Mercedes nuk pranoi të zbulojë se sa ka kushtuar makina për Papën, i cili është ndër të rrallët që shmang përdorimin e automjeteve të blinduara.