Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Deçan. Një 34-vjeçar është dërguar i vdekur në Qendrën e Mjekësisë Familjare.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Rreth orës 13:40 minuta, është pranuar një informatë nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan, se një person ka arritur pa shenja jete. Njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe prokurori i shtetit. Rasti është duke u hetuar”, ka deklaruar Rugova.
Mësohet se viktima është një 34-vjeçar nga fshati Pobërgjë i Deçanit, ndërkaq në momentin tragjik ka qenë duke prerë dru në Bjeshkët e Vokshit.
Ndryshe, një ngjarje tjetër tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Lloqan të Deçanit, ku një i ri është gjetur i djegur në shtëpi.
Policia ka bërë të ditur se viktima është gjetur i karbonizuar.
“Sot me datë 17.12.2021, rreth orës 06:35, Policia është i formuar se në fshatin Lloqan-Deçan, një shtëpi është duke u djegur, me të marrë informatën Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë në vend ngjarje, dhe gjatë intervenimit nga zjarrfikësit është vërejtur se një person është brenda i djegur (karbonizuar), vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente dhe Prokurori i shtetit, me urdhër të Prokurorit trupi i pajetë dërgohet ne institutin e mjekësisë ligjore ne Prishtinë (IML) për obduksion dhe rasti cilësohet si “Hetim i vdekjes”“, ka deklaruar Rugova.
Për vdekjen e të riut ka njoftuar edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
“I rëndë dhe pikëllues lajmi për ndarjen tragjike nga jeta, e të riut Mentor (Canë) Himaj nga fshati Lloqan komuna e Deçanit. Ngushëllime familjes Himaj, miqve dhe të gjithë qytetarëve të Deçanit!”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.