Lajme

Edhe një muaj paraburgim për tre malazezët e arrestuar në Deçan

12/27/2024 18:31
nga:Y I

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për një muaj tre shtetasve të Malit të Zi, të cilët u arrestuan një muaj më parë pasi në targat e automjetit të tyre figuronte mbishkrimi “Kosova është Serbi”.

Për tre shtetasit e Malit të Zi, dy prej të cilëve janë pjesëtarë të ushtrisë malazeze, vazhdimin e masës së paraburgimit e ka propozuar Prokuroria Speciale.

Mirlinda Gashi zëdhënës në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka thënë për Telegrafin se rasti në fjalë tani është përcjellë në kompetencë të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Prokuroria Speciale ka propozuar vazhdimin e masës se paraburgimit ndaj të pandehurve R.K, M.J dhe D.L., andaj Gjykata me Aktvendimin PPPS.nr.77.24 të datës 23.12.2024 ka vazhduar masën e paraburgimit ndaj të njëjtëve edhe për një muaj, për secilin”, ka thënë zëdhënësja Gashi.

Ajo tha se “Gjykata ka vazhduar masën e paraburgimit në mbështetje të nenit 184 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1 të KPPRK-së”.

Ndryshe, një muaj më parë gjatë një feste ortodokse sot në Manastirin e Deçanit, Policia e Kosovës kishte hasur në një veturë të dyshimtë me targa malazeze.

Në targat e kësaj veture ishte mbishkrimi “Kosova është Serbi”, kurse policia pas një pune intensive ka arrestuar tre të dyshuar, që gjendeshin në automjet.