Drejtori nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq është skeptik për ndonjë rezultat pozitiv të dialogut edhe nëse angazhohet rundi i ri i bisedimeve.
Ai thotë se BE-ja, në këtë fazë, mund t’ia dalë t’i ulë bashkë Bislimin e Petkoviqin, por jo udhëheqësit politikë – kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Dy të fundit janë takuar për herë të fundit në shtator të vitit 2023.
Një përpjekje e mëvonshme për takim ka dështuar, për shkak të, siç është thënë, disa kushteve që ka nxjerrë Kurti atëkohë, e që Vuçiq nuk i ka pranuar.
Por, Janjiq thotë se as në rastin e takimit të kryenegociatorëve, ai nuk pret ndonjë rezultat pozitiv.
“Nuk besoj. Çfarë mund të merren vesh ata? A mund ta thotë haptas [zëdhënësi i BE-së, Peter] Stano se dinë se institucionet paralele janë jolegale? Nuk mundet, sepse kanë marrë pjesë në atë turbullim të opinionit, por edhe të Vuçiqit, se do të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe. Pse nuk u bisedua për arsimin? Nuk është temë fare. Ata dëshirojnë tash të flasin për objektet e zaptuara dhe për atë se a do ta kalojë dikush urën?”, thotë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.
Nga fundi i javës së kaluar, çështja e institucioneve paralele serbe në Kosovë është aktualizuar sërish, pasi autoritetet e Kosovës kanë mbyllur pesë të tilla në pjesën veriore të vendit.
Banorët serbë të zonës, prej vitesh, kanë marrë shërbime të ndryshme në to dhe mbyllja e tyre ka shkaktuar reagim të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare kundër Kosovës.
Kjo, përkundër faktit se për shuarjen e këtyre strukturave ka një marrëveshje që është arritur në Bruksel qysh në vitin 2013, por zbatimi i saj ka ngecur.
Bashkësia ndërkombëtare, megjithatë, kërkon që të gjitha çështjet që lidhen me situatën në veri, të trajtohen në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Ngjashëm ka kërkuar të trajtohet edhe çështja e hapjes së urës së Ibrit për qarkullimin e makinave, gjë të cilën Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta bëjë.
Janjiq thotë, po ashtu, se qasja e Bashkimit Evropian në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi është krejtësisht burokratike dhe pa “shkop ose karotë”, përkatësisht pa dënim e shpërblim.
Sipas tij, BE-ja, por edhe vendet e QUINT-it – SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe – duhet ta mbështesin esencën e dialogut, duke zgjidhur çështjet më të rëndësishme, të cilat do të çonin natyrshëm drejt normalizimit të qëndrueshëm të raporteve.
“E këto [çështje] janë: sukcesioni – pra, çfarë do të ndodhë me pronën, zgjidhja e statusit të serbëve si pjesë e statusit të Kosovës, si dhe pjesa e tretë që ka të bëjë me gjërat fundamentale, pra, ekonomia, përfitimet etj. Siguria duhet të vijë në mënyrë të natyrshme përmes komunikimit NATO-Kosovë dhe NATO-Serbi”, thotë Janjiq.


