Lajme

Edhe në rigjykim pranojnë fajësinë tre të akuzuarit në rastin “Subvencionet 3”, njërit i parashkruhet vepra penale

01/16/2024 14:07
nga:G C

Të akuzuarit në rastin “Subvencionet 3” Bejtush Gashi, Arbër Avdijaj dhe Sadush Kabashi kanë pranuar fajësinë edhe në rigjykim, ndërsa për të akuzuarin Halit Avdijaj vepra penale ka arritur parashkrimin absolut.

Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e bënë pasi që u konsiderua e lexuar aktakuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj konstatoi se për të akuzuarin Halit ishte parashkruar vepra penale dhe kishte pushuar procedura ndaj tij me aktvendim të veçantë.

Prokurori special Rafet Halimi tha se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve Gashi, Avdijaj dhe Kabashi, duke i propozuar gjykatës se gjatë shqiptimit të dënimit për të njëjtit t’i marr parasysh rrethanat lehtësuese.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Lavdrim Salihu u pajtua me pranimin e fajësisë nga ana e të mbrojturit të tij, dhe tha se qëndron pranë deklarimeve të dhëna në shqyrtimin e kaluar, duke i propozuar gjykatës që gjatë matjes së dënimit të jetë nën kufi të uljes së tij.

Po ashtu edhe mbrojtësja e të akuzuarit Avdijaj, avokatja Albana Kelmendi tha se pajtohet me pranimin e fajësisë nga i mbrojturi i saj, duke kërkuar nga gjykata që gjatë shqiptimit të dënimit t’i marr parasysh rrethanat lehtësuese pasi që i njëjti ishte edhe dëshmitar bashkëpunues.

Në anën tjetër edhe mbrojtësi i të akuzuarit Avdijaj, avokati Berat Tmava deklaroi se mbeten në tërësi pranë deklarimeve të dhëna në shqyrtimin e kaluar, duke shtuar se ishte vërtetuar se i mbrojturi i tij ishte i detyruar të paguante 30 mijë euro që të përfitonte grantet që i takonin, duke i propozuar gjykatës gjatë matjes së dënimit të veproj në favor të tij.

I akuzuari Gashi i propozuar gjykatës që ndaj tij të merren parasysh rrethanat lehtësuese, pasi që sipas tij, ai në këtë rast ishte viktimë dhe se nuk kishte përfituar asgjë nga ky rast duke shtuar që tani nuk qëndronte mirë ekonomikisht.

I akuzuari Avdijaj po ashtu deklaroi se ishte hera e parë që kishte rënë ndesh me ligjin, duke i propozuar gjykatës që ndaj tij t’i marrin parasysh rrethanat lehtësuese pasi që ai konsideronte që ishte gjithmonë bashkëpunues në çdo fazë të këtij procesi.

Edhe i akuzuari Kabashi deklaroi se në këtë çështje kishte qenë i detyruar që të paguante që t’i merrte grantet, duke shtuar se asnjëherë më parë nuk kishte qenë i dënuar.

Gjykatësja Musliu- Selimaj e aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve dhe e shpalli të përfunduar këtë çështje penale.

Paraprakisht, mbrojtësi e të akuzuarit Gashi, avokati Salihu ngriti pretendimin se çështja ndaj të mbrojturit të tij ka arritur parashkrimin relativ, por prokurori special Halimi e kundërshtoi pretendimin e mbrojtjes.

Kurse për këtë çështje gjykatësja Musliu-Selimaj tha se gjykata do të vlerësoj edhe njëherë sipas detyrës zyrtare në rast se konsideron nëse ka parashkrim apo jo.

Fillimisht, gjykatësja Musliu -Selimaj deklaroi se nga Avokatura Shtetërore kishin njoftuar se nuk mund të paraqiten në seancën e sotme, duke shtuar se i bashkëngjiten ndjekjes penale dhe e përkrahin fjalën e prokurorit dhe për kërkesën pasurore-juridike të udhëzohen në kontest juridiko- civil.

Gjykata Themelore e Prishtinës më 18 shkurt 2023 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj katër të akuzuarve të lartcekur, duke i dënuar me 28 muaj burgim dhe me 3 mijë euro gjobë (së bashku).

Ndaj këtij vendimi të Themelores ishin parashtruar ankesa nga mbrojtësit e 4 të akuzuarve me ç’rast më 29 nëntor 2023 ishte mbajtur seanca në Apeli duke u elaboruar kështu ankesa e mbrojtësve të akuzuarve.

Ndërsa, më pas Gjykata e Apelit, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve ashtu që ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje.

Ndryshe, në Gjykatën Themelore procedura penale ndaj katër të akuzuarve ishte veçuar në seancën e 6 shtatorit 2023, pasi të njëjtit e kishin pranuar fajësinë për veprat penale që iu vihen në barrë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për rastin “Subvencionet 3”, për veprat penale mashtrim me subvencione, marrje e dhënie ryshfeti dhe ndihmë në kryerjen e këtyre veprave, akuzohen Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Halit Avdijaj, Salih Statovci, Bejtush Gashi, Afrim Abazaj, Arbër Avdijaj, Sadush Kabashi dhe Kumrije Maxharraj.