Dy ish-ekspertët e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi, edhe në rigjykim janë liruar nga akuzat për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi.
“ I liron nga akuza me çka kishin për të kryer veprën penale në bashkëkryerje “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” të paraparë me nenin 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për arsye se nuk është provuar se tani të akuzuarit Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi e kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar”, tha gjykatësja Bytyqi
Sipas gjykatëses Bytyqi, shpenzimet e procedurës bien mbi barrë të gjykatës, ndërsa të dëmtuarit Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale përmes përfaqësuesve ligjorë për realizimin e kërkesës pasurore udhëzohen në kontest civil.
Kundër këtij aktgjykim,i palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e dorëzimit të kopjes së aktgjykimit përmes kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit.
Gjatë arsyetimit, gjykatësja Bytyqi tha se me provat e administruara në shqyrtim gjyqësor nuk ishin provuar pretendimet e Prokurorisë, të përshkruara në pikën tre të aktakuzës.
Në këtë rast, së bashku me të njëjtit akuzohet edhe Armend Selimi, për të cilin është veçuar procedura.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 dhjetor 2021 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj dy ish-ekspertëve e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi të akuzuar për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Ndërsa, pronari i firmës NTP “Friends”, Armend Selimi, i cili akuzohej bashkë me ta, ishte shpallur fajtor për veprën penale të “Mashtrimit” dhe ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, ndërsa ishte liruar nga akuza për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.
Pas ankesës së paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit Selimi, avokati Florent Latifaj si dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit me aktvendim e ka anuluar vendimin e shkallës së parë dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje.
Ndryshe, aktakuza e ngritur në prill të vitit 2016, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Armend Selimin se në cilësinë e pronarit të firmës NTP “Friends” në Prishtinë, se nga viti 2013 e deri në korrik të vitit 2014, me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka falsifikuar dokumentin më të cilin ka dashur që të fitojë një tender.
Duke dashur të importojë produkte medicinale dhe të sigurojë autorizime nga ana e Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), thuhet se ka falsifikuar certifikatat e dorëzuara në AKPPM.
Me këtë rast, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale të “Mashtrimit” dhe atë të “Falsifikimit të dokumenteve”.
Ndërsa, Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi akuzoheshin se duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar dhe me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare.
Ata thuhet se në cilësinë e ekspertëve të angazhuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, nuk e kanë kryer punën e tyre në përputhje më ligjin, lidhur me tenderin për të cilin Armend Selimi pretendohej se i kishte falsifikuar dokumentet.
Sipas Prokurorisë, ata kishin keqpërdorur pozitën e tyre lidhur me tenderin për “Furnizim me material shpenzues” nga lista esenciale nga Ministria e Shëndetësisë. Të njëjtit sipas aktakuzës kishin qenë në dijeni se autorizimi i lëshuar nga Korporata- Prodhuesi “Johnson&Friends” në Londër është i falsifikuar dhe se këtë autorizim e kishte përfaqësuar i pandehuri Armend Selimi.
Në bazë të kësaj, ata thuhej se e kanë ditur se këto dokumente janë të falsifikuara dhe kanë dhënë mendim dhe kanë konstatuar se dosja është origjinale.
Në këtë formë, sipas aktakuzës, kompania “Friends” ka arritur ta fitojë tenderin nga Ministria e Shëndetësisë. /BetimipërDrejtësi


