Katër pelegrinë serbë u arrestuan gjatë ditës së sotme në Gjakovë.
Gjatë kontrollit të automjetit Policia e Kosovës iu gjeti fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48 orëshe
Fotografinë me hartën e Kosovës e publikoi edhe drejtori Rajonal i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, transmeton Klankosova.tv.
Për Klankosova.tv, Graishta tha se kjo foto ndodhej e vendosur në ndërruesin e shpejtësisë së makinës ku u kapën pelegrinët serbë.
Madje, përmes një reagimi në Facebook, Graishta thotë se edhe kësaj radhe Policia e Kosovës doli triumfuese.
“Gjakova, djepi i kulturës, shembulli i emancipimit shoqëror, e pashoqe në dashurinë për atdheun, e pamatshme për vigjilencën e kujdesin për të ardhmen e racës sonë, krenare për atë që ishte, e përkushtuar për atë që na pret. Edhe kësaj radhe, si shumë herë më parë, djem e vajza që me devotshmëri i shërbejnë atdheut triumfuan përballë strukturave shtetërore kriminale serbe në zbulimin e hershëm, parandalimin dhe pamundësimin e operacioneve të tyre famëkeqe në zonën tonë të përgjegjësisë. Krenar e mirënjohës pa fund për secilin polic e police të DRP Gjakovë për vigjilencën e angazhimin e tyre në shërbim të atdheut”, ka shkruar ndër të tjera drejtori.