Lajme

Edhe Gjykata Supreme hedh poshtë ankesën e Korab Mushkolajt, kandidat i PDK për kryetar të Deçanit

08/28/2025 15:36
nga:Y I

Edhe Gjykata Supreme e Kosovës, e ka refuzuar si të pa bazë ankesën e Korab Mushkolajt, kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës për komunën e Deçanit, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën administrative të parashtruesit Korab Mushkolaj nga Komuna e Deçanit, kandidat i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për Kryetar të Komunës së Deçanit, e paraqitur kundër Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), me numër A.nr.4/2025, pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për shkak të refuzimit për certifikim të kandidatit, për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të Republikës së Kosovës, që do të mbahen më datë 12 tetor 2025.Bashkëngjitur gjeni linkun e aktgjykimit të publikuar AA. nr. 74/2025: https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP_AA%20_74_2025_SQ.pdf” thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Mushkolaj, ditë më parë s’ishte certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e 12 tetorit.

Ndaj këtij vendimi, kandidati i PDK-së ishte ankuar në PZAP, porse ankesa e tij ishte hedhur poshtë nga ky panel si e pabazuar.

Pas kësaj, Mushkolaj ishte ankuar në Supreme, ku kishte kërkuar që anulohen të dy vendimet.