Sot u luajt ndeshja Vjosa – Vushtrria në Ligën e Parë të futbollit kosovar, që përfundoi me rezultatin 1-1.
Pas ndeshjes, ekipi vendas, Vjosa, u ankua në trajnerin kundërshtar, Armend Dallku, pasi sipas tyre tekniku i Vushtrrisë ka përdorur fjalë fyese ndaj referëve, trajnerit dhe kryesisë së ekipit nga Shtimja.
Sipas Vjosës, krejt këto u bën në prani të gjyqtarëve, por ai nuk u ndëshkua me të kuq.
Klubi kërkon nga Komisioni Disiplinor denimin e tij.
Ja postimi i Vjosës:
“Reagim publik ndaj trajnerit Armend Dallku
Pas një mikpritjeje shumë të mirë nga KF Vjosa ndaj tifozëve të Vushtrrisë dhe një loje të zhvilluar në frymë sportive në fushë, është për keqardhje sjellja e trajnerit Armend Dallku.
Gjatë ndeshjes, ai ka nxitur tifozët me fjalë të papërshtatshme dhe fyese ndaj referëve, trajnerit tonë dhe kryesisë sonë. Të gjitha këto ofendime janë bërë në prani të referëve, por për fat të keq nuk është ndëshkuar me karton të kuq.
Për më tepër, kjo sjellje ka ndikuar që tifozët e Vushtrrisë të tensionohen dhe të sulmojnë tifozët tanë, duke shkaktuar lëndime serioze te disa nga shikuesit tanë, si dhe duke dëmtuar veturat e pranishme.
Kjo është krejtësisht e papranueshme dhe nuk përfaqëson frymën e vërtetë të futbollit.
KF Vjosa gjithmonë është treguar mikpritëse dhe ka respektuar kundërshtarin, por veprime të tilla e dëmtojnë rëndë sportin dhe atmosferën që duhet të mbretërojë në futboll.
Futbolli duhet të fitohet me lojë të ndershme (fair-play), e jo me fyerje dhe nxitje të dhunës.
Andaj, i bëjmë thirrje Komisionit Disiplinor që të marrë masa ndaj këtij trajneri, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, shkruhet në postim.
/GazetaBlic Sport


