Lajme

Edhe dy muaj arrest shtëpiak për zyrtarët e Komunës së Istogut, Klinës e Deçanit që dyshohen për keqpërdorim të lejeve të ndërtimit

08/13/2021 18:32
nga:M K

Gjykata Themelore në Pejë ua ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë masën e arrestit shtëpiak, Drejtorit për Planifikim Urban dhe Mjedis në Komunën e Istogut, Jashar Blakaj dhe zyrtarëve të kësaj drejtorie, Rrustem Gashi dhe Rexhep Blakaj, të cilën nga Prokuroria e Pejës dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer keqpërdorim të detyrës zyrtare në lëshimin e lejeve ndërtimore.

Masa e arrestit shtëpiak është vazhduar edhe ndaj Drejtorit të Urbanizimit në Komunën e Klinës, Lorenc Marleku dhe zyrtarit të kësaj drejtorie, Ali Gashi si dhe Drejtorit për Urbanizëm në Komunën e Deçanit, Ramë Melaj.

Masa e arrestit shtëpiak ndaj tyre do të jetë në fuqi deri më 11 tetor 2021.

Një vendim i tillë është marrë nga gjykatësja e procedurës paraparake, Nushe Kuka-Mekaj, e cila ka gjetur të bazuar kërkesën e Prokurorisë së Pejës për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak.

Në aktvendimet e gjykatës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, argumentohet se ishte plotësuar kushti kryesor i ekzistencës së dyshimit të bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat për të cilat dyshohen edhe pse, sipas gjykatës, prokuroria kishte dhënë arsyetim të zbehtë në propozimin për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak.

Gjykata ka arsyetuar se me gjetjen e të pandehurve në liri, ekziston rreziku se mund të ndryshojnë apo fshehin, asgjësojnë apo ndryshojnë provat e veprës penale, veprime këto të cilat sipas gjykatës, do të ndikonin në rrjedhen normale të procedurës penale.

Gjykata ka kritikuar prokurorinë e Pejës, kur kjo e fundit ishte thirrë në bazën se të pandehurit do të ndikojnë në dëshmitar, kur sipas gjykatës, prokuroria ende nuk ka identifikuar asnjë dëshmitar.

“Është absurditet të supozohet se të pandehurit mund të ndikojnë në dëshmitarë të cilët janë të panjohur për Prokurorinë ashtu dhe për Gjykatën, ashtu që një arsyetim i tillë mbetet si i parafrazuar”, thuhet në arsyetimin e gjykatëses Kuka-Mekaj.

Ajo gjithashtu ka refuzuar pretendimin e Prokurorisë së Pejës se të pandehurit mund të kryejnë apo përsërisin veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke e cilësuar si parafrazim të dispozitës ligjore.

Sipas Gjykatës së Pejës, kjo bazë nuk mund të vlejë, pasi të pandehurit janë të arrestuar dhe e kanë të pamundur të kryjnë vepër penale.

“E si do të mund të kryhet vepra e tillë nga persona të cilët tashmë nuk janë duke ushtruar detyrë zyrtare”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Pejës.

Ndryshe, J.B, RR.G dhe R.B, me datat 16.10.2020, 28.09.2020 e gjerë më datën 04.11.2020 si dhe me datë 14.12.2020 në objektin e K.I, dyshohet se duke vepruar si bashkëkryerës dhe atë i pandehuri J në cilësinë e drejtorit për Planifikim Urban dhe Mjedis, ndërsa të pandehurit RR dhe R, në cilësi te zyrtarëve pranë kësaj drejtorie, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim si dhe Planin Zhvillimor Komunal lëshojnë lejen ndërtimore për ndërtim, në atë mënyrë që të pandehurit duke qenë në dijeni se ngastra kadastrale për të cilën është parashtruar kërkesa për dhënien e lejes ndërtimore nga investitorët ndodhen në bllokun ku sipas planit zhvillimor është paraparë ndërtimi me etazhitet të caktuar, me rastin e lëshimit te lejes ndërtimore konstatojnë se kinse ngastrat kadastrale ndodhen në bllokun tjetër dhe me këtë veprim investitorëve i’u lejojnë ndërtimin me etazhitet më të lartë dhe i’a mundësojnë përfitimin e dobisë pasurore përmes rritjes së etazhitetit dhe sipërfaqes së objektit.

Me çka, në bashkëveprim kishin për të kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafin 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.

E pandehura E.B me datë 21.9.2018, në objektin e K.I, në cilësi të personit zyrtar, Zyrtare për Mjedis në drejtorinë për Planifikim Urban dhe Mjedis, merr pjesë personalisht në çështje zyrtare për të cilën e ka ditur se një anëtar i familjes së saj ka interes financiar, në atë mënyrë që, e pandehura si zyrtare për mjedis, subjektit ekonomik në të cilën bashkëpronar është kunati i të pandehurës, i’a lëshon dhe nënshkruan lejen mjedisore me te cilën investitorit i njihet e drejta e lejes mjedisore për ndërtimin e objektit afaristo-banesor.

Me çka kishte për të kryer vepër penale “Konflikti i Interesit” nga neni 417 par. 1 të KPRK-së.

Të pandehurit L.M dhe A.G nga data 20.09.2019 e në vazhdimësi deri me datë 09.11.2020, në objektin e K.K, duke vepruar si bashkëkryerës dhe atë i pandehuri L në cilësinë e drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, ndërsa i pandehuri A në cilësinë e zyrtarit pranë kësaj drejtorie, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për ndërtim, pa zbatuar ndonjë plan rregullues urban lëshojnë lejen ndërtimore e më pas lëshojnë lejen ndërtimore për mbindërtim, edhe përkundër faktit se për hartat zonale është dhënë pëlqim nga MMPHI-ja, por ende nuk është aprovuar Plani i ri zhvillimor komunal dhe me këtë investitorit i’a mundëson përfitimin e dobisë pasurore përmes rritjes së etazhitetit dhe sipërfaqes së objektit. Ndërsa, me datë 04.10.2020, në objektin e K.K, të pandehurit duke vepruar si bashkëkryerës në kundërshtim me Ligjin për ndërtim, dhe Planin Rregullues Urban 01.nr-351-1830/2016, të datës 25.3.2016, lëshojnë lejen ndërtimore në atë mënyrë që, të pandehurit fillimisht investitorit i’a lëshojnë kushtet ndërtimore me te cilat i lejohet ndërtimi i objektit afaristo-banesor në dy llamella e më pas të njëjtit, investitor i’a lëshojnë lejen ndërtimore me te cilën i’a lejojnë rritjen e etazhitetit në llamellen II në 3 kate shtese dhe me këtë investitorit i’a mundëson përfitimin e dobisë pasurore përmes rritjes së etazhitetit dhe sipërfaqes së objektit.

Me çka në bashkëveprim kishin për të kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.

I pandehuri L.M nga data 12.07.2019 e në vazhdimësi gjerë me datën 22.04.2020, në objektin e K.K, në cilësinë e drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalon kompetencat e tij, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat, në atë mënyrë që, i pandehuri në kuadër të detyrës zyrtare të tij pa qenë, i autorizuar me datën 12.07.2019 nxjerr vendimin me të cilin i kishte lejuar investitorit afrimin e objektit në distancë prej 20 metra largësi nga vija hekurudhore e më pas nxjerr vendimin tjetër duke ndryshuar vendimin e lartcekur dhe duke e zbritur distancën e largësisë nga vija hekurudhore në 17 metra dhe këtë në kundërshtim me Lijgin për Hekurudha e cila përcakton distancën e largësisë prej 25m.

Me çka kishte për të kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së.

I pandehuri R.M me datat 03.03.2020, 06.08.2020, 29.12.2020 në objektin e K.D, në cilësinë e drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalon kompetencat e tij, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, e duke vepruar në kundërshtim me nenin 4 të Ligjit për Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nemuna dhe në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për ndërtim, si dhe në dëm të dëmtuarës DAPK në Pejë lëshon vende për lejimin e ndërtimit të objekteve, në atë mënyrë që, i pandehuri si Drejtor i DUMM në D duke mos qenë person zyrtar i autorizuar me rastin e pranimit të kërkesës nga Drejtoria për Ekonomi dhe Zhvillim, i njëjti lëshon vendimin për leje mjedisore komunale dhe lejon ndërtimin e objekteve në zonën e parkut kombëtar me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për të cilën zonë nuk mund të lëshohet asnjë leje ndërtimore në mungesë të miratimit të planit hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional Bjeshkët e Nemuna,

Me çka kishte për të kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafin 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të KPRK-së.