Deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, ka lëshuar sallën ku po mbahet mbledhja e Komisionit të Arsimit ku përballë janë përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe ministrat Nagavci dhe Murati.
Rrahmani lëshoi sallën pas përplasjes që pati me bashkëpartiakun e tij, Ardian Gola, kryetar i Komisionit.
Ai doli jashtë pasi nuk iu dha fjala, derisa Gola i tha që të mos e vendos në pozitë të vështirë.
“Eman, të lutem, mos më qit në kësi pozite”, i tha Gola.
Por, Rrahmani e kritikoi Golën.
E akuzoi se ka bërë marrëveshje me grupe të tjera parlamentare.
“Jo, jo, unë nuk po flas për BSPK-në por po reagoj kundër institucionit, jam deputet dhe kam të drejtën e fjalës. Qëllimi im është me kontribu për të ardhur te një zgjidhje konkrete. Ju lus që si kryetar i komisionit nuk duhet të bëni marrëveshje me asnjë grup që e cenon punën time si deputet dhe cilitdo deputet tjetër”, tha Rrahmani.