Sporti

Edhe 7 xhiro deri në fund të kampionatit: Dy gjyqtarët më të mirë në vend duhet të delegohen çdo javë

04/18/2024 13:22
nga:E K

Superliga e Kosovës është futur në fazën finale, kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro deri në fund të edicionit 2023/24.

Gara është shumë e ashpër për titullin, Evropën, por edhe për mbijetesën edhe pse Liria dhe Fushë Kosova tanimë thuajse janë pa objektiva.

Gjyqtarët kanë qenë shumë të kritikuar në xhirot e fundit disa me të drejtë e disa pa të drejtë e pa fakte.

Kosova ka shumë gjyqtarë të rinj të talentuar, por padyshim dy më të mirët e vendit janë Genc Nuza e Visar Kastrati që kanë edhe stemat e shtëpisë më të madhe të futbollit evropian FIFA.

Kur janë zhvilluar 29 ndeshje deri më tani, dy gjyqtarët më të mirë në vend janë deleguar në vetëm nga 14 ndeshje në Albi Mall Superligë, pasi delegimi i gjyqtarëve po bëhet me short nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Genc Nuza ka gjykuar këtë edicion 14 ndeshje në Albi Mall Superligë, duke ndarë 54 kartonë të verdhë, një të kuq pas dy të verdhëve si dhe një të kuq direkt, derisa ka akorduar edhe nëntë penallti.

34-vjeçari ka gjykuar edhe katër ndeshje në Kupën e Kosovës, si dhe këtë edicion ka ndarë drejtësinë në 12 ndeshje evropiane si në kualifikimet dhe grupet e Ligës së Konferencës, në UEFA Youth League apo edhe në kualifikimet e grupmoshave U21 e U19.

14 ndeshje në Superligën e Kosovës këtë edicion si gjyqtar kryesor i ka gjykuar edhe Visar Kastrati, ku ka ndarë 73 kartonë të verdhë, një të kuq pas dy të verdhëve dhe një të kuq direkt, derisa ka akorduar katër penallti.

Përveç 14 ndeshjeve në elitën e futbollit kosovar, Kastrati ka ndarë drejtësinë edhe në dy ndeshje të Kupës së Kosovës.

37-vjeçari nga Prizreni është gjyqtari aktual më i mirë i vitit nga FFK ka drejtuar edhe gjashtë ndeshje evropiane ku tre prej tyre në kualifikimet e Ligës së Konferencës, një të kualifikimeve të Kombëtareve U21 dhe dy të tjera ndeshje miqësore të shteteve.

FFK duhet ta ketë të qartë një gjë, që vendi ynë nuk ka luksin që dy gjyqtarët më të mirë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon të mbeten jashtë delegimeve.

Kur jemi në fazën finale të kampionatit, FFK duhet t’i delegojë gjithmonë në ndeshjet kryesore gjyqtarët më të mirë, pasi deri në fund të kampionatit ka shumë derbi që vetëm dy gjyqtarë me përvojë të madhe dhe me autoritet të madh në fushë si Nuza dhe Kastrati do të ndanin drejtësinë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Jo vetëm dy gjyqtarët kryesorë me stemë të FIFA-s si Nuza e Kastrati, por edhe anësorët me stemë si Edmond Zeqiri, Fatmir Sekiraqa, Fatlum Berisha, Bujar Selimaj, Lumturije Muhadri, Besnik Morina, Granit Hyseni dhe Arbnor Bullatovci duhet të jenë në fushë, pasi kanë autoritet dhe përvojë për t’i përballuar ndeshjet vendimtare në finish të kampionatit.

Deri në fund të kampionatit janë shumë ndeshje derbi që vendosin shumë për objektivat e klubeve si: Gjilani – Feronikeli ’74, Ballkani – Drita, Prishtina – Llapi, Gjilani – Ballkani, Dukagjini – Drita, Ballkani – Dukagjini, Prishtina – Drita, Gjilani – Llapi, Malisheva – Ballkani, Llapi – Malisheva, Llapi – Ballkani, Dukagjini – Feronikeli ’74, Gjilani – Drita, Ballkani – Prishtina, Dukagjini – Gjilani dhe Drita – Malisheva.