Lajme

ECPMF: Zgjedhja e Luljeta Aliut në KPM një zhvillim shqetësues, do ta njoftojmë Këshillin e Evropës

05/24/2023 18:00
nga:Astrit Gashi

Pas zgjedhjes së mbështetëses së Lëvizjes Vetëvendosje, Luljeta Aliut anëtare e Këshillit të Pavarur të Mediave, ka reaguar Qendra Evropiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit, me seli në Gjermani, e cila e ka quajtur shqetësues këtë zhvillim dhe ka paralajmëruar se do ta informojë Këshillin e Evropës.

Sot në Kuvendin e Kosovës, Luljeta Aliu është zgjedhur anëtare e KPM-së. Ajo njihet për qëndrimet e saj publike në përkrahje të LV-së dhe Kryeministrit Kurti.

“Jemi shumë të shqetësuar dhe të zhgënjyer nga vendimi i Kuvendit të Kosovës, i kontrolluar nga Lëvizja Vetëvendosje, për të zgjehdur Luljeta Aliun anëtare të Komisionit të Pavarur të Mediave. Aliu zëshëm, rregullisht dhe publikisht e ka përkrahur Lëvizjen Vetëvendosje dhe politikat e saj. Në asnjë mënyrë, ajo nuk mund të konsiderohet e pavarur”, thuhet në njoftimin e ECPMF-së.

“Na vjen keq të shohim këtë zhvillim, që shkon në të kundërtën me procesin e depolitizimit të KPM-së, që VV-ja e ka nisur. Kjo zgjedhje është një hap i madh drejt rikapjes politike, në mënyrë të njëjtë siç është bërë më parë”, thuhet tutje në reagimin e ECPMF-së.

Në njoftimin e kësaj organizate thuhet se për zhvillimin e sotëm në Kuvendin e Kosovës do ta informojë Këshillin e Evropës dhe Asamblenë Parlamentare të KiE, pasi kjo ndikon në pavarësinë e KPM-së,

“Në dritën e aplikimit për anëtarësim të Kosovës, ne do të fillojmë menjëherë shkëmbimin me Këshillin e Evropës dhe PACE për t’i informuar ata rreth këtij zhvillimi shqetësues që do të ketë një ndikim të madh në pavarësinë e KPM-së”, thuhet aty.