Sporti

E trishtë/ Legjendën rumune e shkarkojnë në ditën e funeralit të të ëmës

12/25/2023 23:29
nga:Lorik J

Legjenda rumune, Adrian Mutu është shkarkuar nga detyra e trajnerit te azerët e Neftçi Baku. 44-vjeçari u shkarkua një javë para fundit të sezonit, por ajo që bën edhe më shumë përshtypje, është koha që zgjodhi klubi për të komunikuar vendimin.

Ajo që bën më së shumti përshtypje është se shkarkimin e Mutu, Neftçi e komunikoi të dielën e 24 dhjetorit, ditë në të cilën rumuni ishte në atdheun e tij, pasi po mbahej ceremonia mortore e të ëmës. Një gjest ky aspak i denjë i klubit azer, që në çdo situatë, mund të kishte pritur të paktën edhe një ditë për të komunikuar vendimin e shkarkimit të Mutu.

Drejtuesit e Neftçit kanë gjetur edhe pasardhësin e Mutusë dhe stoli do t’i besohet malazezit Miodrag Bojoviç. Adrian Mutu ka pasur një karrierë të lavdishme si futbollist, duke veshur fanellat e klubeve si Inter, Juventus, Fiorentina, Çelsi, Verona, Parma, etj., ndërsa si trajner ka drejtuar Voluntarin, Al Uahda U21, Rumaninë U21, Kraiovën, Rapidin e Bukureshtit dhe së fundmi Neftçin.

“Sot kemi vendosur zgjidhjen me marrëveshje të kontratës me rumunin Adrian Mutu. Klubi i Neftchi e falënderon Mutu për bashkëpunimin dhe i uron suksese, si dhe shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mamasë së tij”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Neftchi Baku.