Minire Bytyqi është 57-vjeçarja që ka ndërruar jetë pas aksidentit që ndodhi të martën në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”, në drejtimin Prizren Jug–Vërmicë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30, në kilometrin e 10-të të autostradës, ku një veturë e tipit BMë, me ngjyrë të bardhë, ka pësuar vetaksident pasi shoferi dyshohet se nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, duke humbur kontrollin mbi mjetin.
Burime të sigurta bëjnë të ditur se automjeti drejtohej nga S.B. rreth 49 vjeç, ndërsa në veturë ndodheshin edhe dy pasagjerë: S.B. rreth 89 vjeç dhe M.B. rreth 57 vjeç.
Fillimisht, të tre kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar me urgjencë në Emergjencën e Prizrenit për trajtim mjekësor, ndërsa shoferi është transferuar më pas në QKUK për trajtim të mëtejmë. Fatkeqësisht, mjekët kanë konfirmuar se pasagjerja Bytyqi ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Me urdhër të prokurores kujdestare, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit janë në zhvillim.



