Opinion

“E TRETA E VËRTETA” – KOHA PËR LIGJ QË I ÇELË ‘KULETAT’ E PARTIVE POLITIKE

05/23/2022 14:16
nga:Eugen Cakolli

Eugen Cakolli

Në Kuvendin e Kosovës janë sjellur e tërhequr plot projektligje. Por, ka pak projektligje që janë sjellur e tërhequr më shpesh se Projektligji për Financimin e Subjekteve Politike. Ky projektligj, që është aktualisht për herë të tretë në procedurë plotësim-ndryshimi në Kuvend, mëton t’a avancojë transparencën dhe llogaridhënien financiare të partive politike, elemente këto të munguara prej vitesh.

Por, ku qëndron problemi me çështjen e financimit politik në Kosovë?

Siç është thënë në një prej podcasteve paraprake, problemi kryesor me partitë tona politike është mungesa e vullnetit të tyre për reformim përmbajtësor dhe avancim të vlerave demokratike për qeverisje transparente. Pra, e thënë thjeshtë – partitë nuk kanë as vullnet e as interes që t’i çelin kuletat e tyre, që janë të mbushura shumëfish më shumë sesa që deklarohen. Kuletat e partive politike mbushen nga dy burime kryesore: buxheti i shtetit dhe donacionet private. Nga paratë e publikut partitë marrin mbi 4 milion euro çdo vit, ndërsa nga donacionet private… marrin shumë, por, sigurisht, i deklarojnë pak.

Korniza e tanishme ligjore, e miratuar para rreth një dekade, është e mangët dhe u mundëson partive që të mos i deklarojnë financat, përfshirë të hyrat dhe shpenzimet, meqë edhe kur veprojnë ashtu, ndëshkimet (financiare) janë të papërfillshme. Gjatë fushatës, qartazi partitë shpenzojnë shumë më shumë sesa që deklarojnë dhe sesa që është e lejuar.

Kësaj situate i ka kontribuar mungesa e një institucioni që mbikëqyrë dhe kontrollon efektivisht këtë çështje. Procesi i auditimit, në anën tjetër, është në esencë në duart e partive politike, për shkak se është Kuvendi i Kosovës, i përbërë nga po ato parti politike, institucioni që përzgjedhë auditorët e raporteve vjetore financiare dhe raporteve të fushatës së partive politike.

Ose të paktën do të duhej t’i përzgjedhje auditorët. Po e them këtë, sepse që nga viti 2013 kur kompetenca e përzgjedhjes së auditorëve ka kaluar tek Kuvendi, ky i fundit qëllimshëm i ka dështuar procedurat e tenderimit, duke ndarë buxhet të pamjaftueshëm për auditimin e raporteve financiare dhe raporteve të fushatës – për periudha tri-katër vjeçare. E ç’është më e keqja, edhe kur potencialisht duhet shqiptuar gjoba ndaj partive, nevojitet paraprakisht miratimi formal i tyre në KQZ. Çfarë paradoksi!

Duke pasur parasysh këtë situatë, para tri legjislaturave kishte filluar saga e ndryshimit të ligjit për financim të subjekteve politike. Kjo ishte njëkohësisht kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht e Bashkimit Evropian, që e kishte vendosur këtë çështje si element të domosdoshëm në rrugëtimin evropian të Kosovës – përmes Raporteve për Vendin, planeve të zbatimit të MSA-së, e të tjera.

E përkundër punës së mirë të kryer nga Qeveria gjatë viteve 2018-2019 në draftimin e ligjit – për të cilin ishte marrë opinion pozitiv nga Komisioni i Venedikut dhe i cili përkrahej nga shoqëria civile – deputetët kishin vendosur edhe një herë të “mos i presin degët ku qëndrojnë ulur”. Me amandamentet e shumta, deputetët kishin minuar punën e bërë dhe e kishin shndërruar projektligjin në dokument të pazbatueshëm, që ishte në funksion të interesave të tyre të ngushta.

Në këtë situatë, si organizata të shoqërisë civile kishim filluar kampanjën “Tërhiqeni Ligjin”, e cila kishte rezultuar e suksesshme, me kryeministrin e atëhershëm Ramush Haradinaj, që kishte tërhequr ligjin para leximit të dytë në Kuvend. Në një situatë me rezultat të njëjtë, pra pa epilog të duhur, ky projektligj kishte përfunduar edhe në legjislaturën e kaluar, kur i njëjti ishte sjellur nga Qeveria “Hoti”, por që për shkak të shkuarjes në zgjedhje, as nuk ishte trajtuar fare në Kuvend.

Tanimë është hera e tretë që ky projektligj, që sërish është në harmoni me opinionin e Komisionit të Venedikut dhe përgjithësisht reflekton rekomandimet e shoqërisë civile, po shqyrtohet në Kuvend. Ndonëse fillimisht i njëjti kishte dështuar të miratohet në mungesë kuorumi, pas thirrjeve të shumta, deputetët i kishin dhënë atij në parim dritën e gjelbër. Përkundër vonesave, indikacionet janë të mira. Kjo mund të jetë “e treta e vërteta” për këtë projektligj. Presioni publik i ka shtyrë partitë politike të pajtohen që situata duhet ndryshuar, e ato duhet të jenë më transparente dhe llogaridhënëse.

Me projektligjin e ri, nuk do të ketë më arsye për dështim të përzgjedhjes së auditorëve. Kjo kompetencë do t’i rikthehet Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, që funksionon brenda KQZ-së, e cila për më tepër do të ketë buxhet të mjaftueshëm për përzgjedhjen e auditorëve. Kjo zyrë do të ketë pavarësi funksionale e buxhetore nga KQZ-ja, duke i ikur kështu mundësisë së ndikimit të saj nga interesat partiake që përfaqësohen nga anëtarët aty. Zyra po ashtu do të ketë mundësi të kryejë kontrolle më strikte mbi mënyrën e financimit dhe shpenzimeve të partive politike. E partive do t’iu duhet t’i raportojnë të gjitha kontributet, përfshirë edhe ato jo-financiare e jo-monetare.

Nuk do të ketë më donacione në para të gatshme mbi 50 euro. Dhe, përgjegjës nuk do të jetë vetëm partia si entitet juridik, por edhe kryetari, përfaqësuesit financiarë dhe zyrtarët tjerë të saj.

Sigurisht, ka hapësirë për edhe më shumë përmirësime që mund të bëhen në këtë projektligj. Ligjet si ky për financimin politik, miratohen për të adresuar situata në periudha të paktën disa-vjeçare. Prandaj duhet që ai të mos trajtohet duke u bazuar vetëm në premisat e situatës aktuale, por edhe në trendet e zhvillimeve në të ardhmen. Duhet të shikohet drejt dixhitalizimit të raportimit të shpenzimeve, raportimit të shpenzimeve në fushatë ‘online’, heqjes së parave të gatshme në tërësi, raportim të financave të kandidatëve të partive e shumë të tjera si këto. Tek pasi të përfshihen të gjitha këto elemente mund të themi se kemi arritur standardet më të mira të transparencës dhe llogaridhënies financiare të subjekteve politike. Këto dyja manifestohen vetëm kur partitë i çelin (plotësisht) kuletat e tyre.

E tash është koha ideale për një gjë të tillë – përmes projektligjit për financim të subjekteve politike.