Lajme

E rëndë: 45-vjeçari nga Komorani humb jetën në vendin e tij të punës

04/08/2023 20:27
nga:Y I

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur  sot në fshatin Koretin të Kamenicës, ku një person ka humbur jetën pas lëndimeve të marra në vendin e tij të punës.

Sinjali mëson se viktima është 45-vjeçari, Kujtim Ibriqi, nga Komorani i Drenasit.

I ndjeri ishte punëtor i kompanisë ‘Euroing’ nga Rahoveci.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 13:00 ku derisa po punonte në sallën e sporteve në Koretin, ku gjatë punimeve, Ibriqi është rrëzuar nga skelet e ndërtimit dhe ka marrë lëndime të rënda.

Ndonëse ai u dërgua me shpejtësi në Emergjencën e Kamenicës e më pas edhe në Gjilan, 45-vjeçari s’arriti t’i përballojë plagët e marra.

Ndërkohë edhe familjarët e të ndjerit kanë dhënë njoftimin mortor, ku bëhet e ditur se varrimi do të bëhet nesë në orën 15:00 në varrezat e Komoranit.

Ndryshe, me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse’ dhe ‘Rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’.