Një aksident i rëndë ka ndodhur dje pasdite në rrugën ‘Hysni Morina’ në Prizren, ku është përfshirë një motoçikletë në të cilën ndodheshin dy fëmijë të moshës 12-vjeçare.
Sinjali mëson se fëmija i cili ndodhej i ulur prapa ngasësit, në momentin e nisjes është rrëzuar dhe ka pësuar lëndime të rënda.
Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal në Prizren, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, është transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Burimet e gazetës brenda QKUK-së bëjnë me dije se lëndimet e të miturit janë serioze dhe ai ndodhet në rrezik për jetën.


