Lajme

E pranon publikisht ushtari rus: Justifikimi i Kremlinit për pushtimin e Ukrainës është një gënjeshtër

08/23/2022 18:32
nga:Astrit Gashi

Justifikimi i Kremlinit për pushtimin e Ukrainës është një gënjeshtër, tha për CNN një parashutist rus, i cili kohët e fundit dënoi publikisht sulmin e vendit të tij ndaj Ukrainës.

Bëhet fjalë për Pavel Filatyev, i cili u shpreh publikisht kundër konfliktit në Ukrainë përmes kujtimeve, të publikuara në profilin e tij në rrjetin social Vkontakte.

Pas kësaj, Filatyev arriti të arratisej nga Rusia.

Në një intervistë për CNN, ai dëshmoi se shokët e tij ushtarë janë të lodhur, të uritur dhe të zhgënjyer dhe se përpjekja luftarake e Kremlinit po shkatërron jetën paqësore.

“Ne e kuptuam se jemi përfshirë në një konflikt serioz në të cilin ne vetëm po shkatërrojmë qytete dhe nuk po çlirojmë askënd në fakt. Shumë e kuptuan se nuk ka asnjë arsye për të cilën qeveria jonë po përpiqet të na bindë. Ata e kuptuan se e gjitha është një gënjeshtër. Ne vetëm po shkatërrojmë jetë paqësore. Ky fakt pati një ndikim të jashtëzakonshëm në moralin tonë. Ajo ndjenjë se nuk po bëjmë asgjë të mirë”, tha 33-vjeçari Filatyev për CNN.

Filatyev thotë se njësia e tij, e cila ishte me bazë në Krime dhe hyri në Kherson në fillim të luftës, ishte e pajisur keq dhe nuk mori shpjegime të mjaftueshme për pushtimin e Ukrainës.

Sipas Filatyev, ushtarët dhe komandantët e tyre nuk e dinin se çfarë pritej prej tyre në Ukrainë. Ai shtoi se shumë shpejt u zhgënjyen me arsyetimin e qeverisë për pushtimin, pasi mbërritën në Kherson dhe u përballën me rezistencën e popullsisë vendase, e cila nuk dëshironte të “çlirohej”.

Si parashutist, Filatyev mori pjesë në sulmet në qytetin ukrainas të Nikolaev, dhe më pas pasi u plagos u evakuua nga vija e frontit. Ai gjithashtu tha për CNN se ushtrisë ruse i mungonin pajisjet bazë, si dhe dronët.

“Kazermat tona janë 100 vjet të vjetra dhe nuk mund të strehojnë të gjithë ushtarët tanë. Armët tona janë të kohës së luftës afgane,” tha Filatyev.

“Disa ditë pasi rrethuam Khersonin, shumë prej nesh nuk kishin ushqim, ujë apo çanta gjumi. Meqë natën bënte shumë ftohtë, nuk flinim dot, grumbullonim plehra, ca lecka, vetëm për t’u mbështjellë e për t’u ngrohur”.

Filatyev thotë se është e vështirë për të të kuptojë vizionin e presidentit rus Vladimir Putin, i cili gjashtë muaj më parë nisi një pushtim të Ukrainës dhe pa trupat e tij të mbërthyer në një konflikt të vështirë dhe të shtrenjtë.

“Kjo është gjëja më e keqe dhe më budallaqe që qeveria jonë mund të ketë bërë,” beson ai.