Sporti

E papritur: Kapiteni legjendar, Shkelzen Lushtaku largohet nga Drenica pas 23 vitesh!

07/28/2025 11:10
nga:Lorik J

Kapiteni legjendar i klubit të futbollit të Drenicës, Shkelzen Lushtaku është larguar nga klubi i Skenderajt.

Lushtaku është produkt i klubit dhe është pjesë e Drenicës qe 23 vite, por tashmë ka ardhur momenti për ndarje, shkruan GazetaBlic Sport.

Më poshtë keni njoftimin emocionues të Lushtakut për largimin nga Drenica:

“Faleminderit, DRENICA ime!

Me zemër të mbushur plot krenari dhe emocione, po shkruaj këto fjalë për klubin që ishte dhe do të mbetet gjithmonë pjesë e shpirtit tim.
Që nga hapat e parë në futboll, që nga ditët e rinisë sime, e deri më sot – unë e kam jetuar këtë rrugëtim me pasion të sinqertë dhe dashuri të pakusht. Për më shumë se 23 vite në këtë fushë, dhashë gjithçka që pata: djersën, mundin, shpirtin dhe zemrën time. Dhe po të kthehesha prapa, do ta zgjidhja sërish të njëjtën rrugë — pa asnjë hezitim!
Kam qenë krenar që isha pjesë e Drenicës, dhe sot largohem nga fusha si një njeri i lumtur, sepse largohem si kampion! Në ditët më të vështira të këtij klubi, dhashë gjithçka që të arrinim aty ku e meritonim – në majë, me dinjitet dhe nder.
Faleminderit të gjithë presidentëve të klubit për besimin dhe mbështetjen. Faleminderit çdo bashkëlojtar që ndau me mua dhimbjen dhe gëzimin e këtij udhëtimi. Faleminderit të gjithë trajnerëve që punuan me mua dhe që më ndihmuan të rritem, si lojtar dhe si njeri.
Një mirënjohje e veçantë për:
Afrim Jasharin, Tahir Lushtakun dhe Fadil Ramën – që më udhëhoqën me përkushtim dhe zemër.
Faleminderit nga zemra “Shqiponjat e Zeza”, tifozët tanë besnikë, që nuk na lanë vetëm as në ditët më të vështira. Dashuria juaj ka qenë forcë për ne!
Dhe mbi të gjitha: faleminderit familjes sime! Që më qëndroi pranë në çdo moment, ndau me mua çdo sfidë dhe ishte gjithmonë forca ime më e madhe.
Sot largohem nga fusha, por jo nga Drenica. Sepse Drenica nuk është vetëm një klub. Është zemra ime, është identiteti im, është jeta ime.
Edhe pse fizikisht nuk do të jem më në fushë, me zemër do të jem gjithmonë aty – me ju, me Drenicën time të dashur.
Se shpejti do ju njoftoj per te Ardhemn time.
Përjetësisht me ty, DRENICA IME”, shkruan Lushtaku.

/GazetaBlic Sport