Lajme

“E palogjikshme që Kosova t’ua kërkojë dozën e tretë qytetarëve të huaj, kur vetëm dy për qind e qytetarëve të vet e kanë marrë atë”

01/24/2022 18:38
nga:Gazeta Blic

Infektologu Blin Nagavci i ka quajtur të palogjikshme masat e reja anti-COVID të qeverisë së Kosovës, duke thënë se merren me situatat ku rreziku i infektimit është më i vogël, teksa në kafene e restorante nuk respektohen masat fare.

“Nuk mendoj që ka një logjikë [vendimi i qeverisë për masat e reja], sepse Kosova është më keq sa i përket situatës epidemiologjike se sa Shqipëria dhe Maqedonia”, ka thënë Nagavci për Info Magazine të Klan Kosovës.

“Ne kemi rreth dyfish më shumë raste se sa Shqipëria dhe Maqedonia, prandaj rreziku për t’u infektuar është më i madh në Kosovë se sa në vendet fqinje, prandaj ky si vendim duhet të rishikohet”.

Nagavci e konsideron të palogjikshme që qytetarëve të huaj t’u kërkohet doza e tretë e vaksinës përderisa vetëm dy për qind e popullatës së Kosovës e ka marrë këtë dozë të tretë përforcuese.

“Deri më sot kemi aplikuar 44 mijë vaksina të dozës ‘booster’, e që përbën dy pë qind të popullatës, dhe nuk ka logjikë që t’u kërkohet doza e tretë qytetarëve që vijnë nga jashtë”.

“Sidomos kur ke parasysh që kjo ua vështirëson jetën njerëzve që punojnë në Kosovë dhe jetojnë në vendet përreth”.

Ai madje thotë se masat e reja kanë të bëjnë pikërisht me rastet dhe situatat kur rreziku i përhapjes së virusit ësht më i vogël, teksa pohon se që kur është vaksinuar në qershor, ende në asnjë restorant nuk i është kërkuar certifikata e vaksinës.

“Për çudi, të gjitha masat që janë marrë, janë të targetuara aty ku risku është i vogël. Që do të thotë, kërkohet maska për qytetarët kur lëvizin rrugës jashtë; aplikohet orë policore në ora 10:00, edhe kjo është jashtë. Ndërkohë, që nuk ka masa në restorante, në kafene, apo shkolla. Askush nuk mban maskë”.

“Unë jam vaksinuar në muajin qershor të vitit të kaluar dhe deri tani në Kosovë, asnjë lokal i vetëm nuk ma ka kërkuar kartelën e vaksinimit, dhe kjo ndodh gjithandej andaj këto maska duhet të targetojnë aty ku risku është më i madh ndërkohë masat aktuale targetojnë aty ku risku është jashtëzakonisht i vogël dhje mendoj që vështirësojnë jetën e qytetarëve”.