Lajme

E ndihmoi kur mbërriti në Itali nga Nigeria, 23 vjet më pas e shoqëron në altar

06/22/2021 15:10
nga:Y I

Regina ishte vetëm 13 vjeçe kur mbërriti në Itali nga Nigeria, aty ku kishte lënë të gjithë familjen e saj.

Ishte polici Antonio D’Amore, ai që u kujdes shumë për të 23 vite më parë.

Tani për Reginan, polici është si një baba dhe për këtë arsye ka dashur që ta ketë pranë në ditën më të veçantë të saj. Ajo ka zgjedhur D’Amore për ta pasur përkrah saj teksa shkon në altarin e kishës Foggia për t’u martuar me të dashurin e saj, Daniel.

Ceremonia u mbajt më 22 maj të këtij viti, por Policia vendosi që ta kujtonte atë me anë të një postimi në “Instagram”. Në foto shfaqet polici, tani komisar dhe nusja, e cila u martua me një bashkatdhetar që e takoi në Itali, shkruan “La Republica”.

“Lule portokalli për Reginan, shoqëruar në altar, në vend të babait të saj, nga Antonio i cili 23 vjet më parë i shpëtoi jetën””, shkruhet në postimin në rrjetet sociale, ku vijon: “Ai ishte një inspektor në detyrë për skuadrën e policisë Foggia kur e takoi atë gjatë një hetimi, ajo ishte vetëm 13 vjeç. Në Itali ajo ishte vetëm, e gjithë familja e saj ishte në Nigeri”.

Policia shprehet se në vështrimin e këtij fëmije të frikësuar, Antonio pa sytë e vajzave të tij, e duke e ndihmuar pak nga pak, ai fitoi besimin e saj.

“Ai e mirëpriti atë në familjen e tij, duke kaluar shumë momente të bukura së bashku. E Regina e donte pranë saj në ditën më të bukur të jetës së saj. Urime komisarit dhe urimet më të mira kësaj vajze”, shkruhet në postimin në “Instagram”. .GSH/