Një e mitur ka rënë nga terasa e një banese në rrugën “Myrvete Maksutaj” në Pejë, gjatë natës së sotme.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka konfirmuar për Gazeta Blic se rasti është raportuar rreth orës 00:50.
“Policia është njoftuar për një rast i cili ka ndodhur në rrugën ‘Myrvete Maksutaj’ në Pejë, aty e mitura ka rënë nga terasa e banesës (kati i 6-të). Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Rugova.
Sipas tij, e mitura fillimisht është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa më pas është transferuar për trajtim në QKUK në Prishtinë.
Rugova ka bërë të ditur se hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime në DRP-Pejë janë duke punuar për të zbardhur rrethanat dhe për të përcaktuar se si ka ardhur deri te rasti.


