Lajme

E mbijetuara e Masakrës së Izbicës: Rrugës për në Shqipëri, forcat serbe na shanë e ofenduan

03/28/2024 20:13
nga:G B

Ajmane Behramaj, e mbijetuara e Masakrës së Izbicës, ka thënë se në mëngjesin e 28 marsit të vitit 1999 ishin rrethuar nga forcat serbe.

“I kanë ndarë burrat nga gratë, neve (grave) na kanë thënë të nisemi për në Shqipëri, ne nuk e dinim se ku ishte Shqipëria”, ka thënë Behramaj, derisa ka shtuar se me vete kishte edhe pesë fëmijë që ishin në moshë të vogël.

E pyetur se si ishin ato momente, ajo u përgjigj duke thënë se ishin shumë të rënda. “Momente më të vështira e më të rënda nuk ka”, ka thënë tutje ajo.

“Duke shkuar rrugës, duke na sharë, shkuam në një fshat që quhet Sallahorë. Aty ra granata, m’i vrajtën dy vajza të axhës së burrit njëra 8 vjeç e tjetra 15. Vajzën ma plagosën, djali mu plagosë, të gjithë u plagosën ngapak. Tre djemtë më shkuan në Tushilë, të voglit m’i ka ra granata, ka qenë vetëm gjashtë javë. Prapë jemi kthyer për në Turiqevcè, kur shkuam atje, na kthyen përsëri për në Shqipëri. Më rëndë e më vështirë a ka?”, ka rrëfyer ajo në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini.

“Vetëm me vajzë e me djal, Besartin 7 vjeç, Qendresën 3 vjeç e gjysëm, Beratin 9 vjeç, Visarin 6 vjeç, Çlirimtarin gjashtë javë, më kanë shkuar për në Tushilë”, ka treguar Behramaj.

Mes të tjerash, ajo ka shtuar se ata ishin në drejtim të Klinës dhe kur kishin arritur tek mulliri i Brojës, forcat serbe kishin dashur t’i vrisnin të gjithë me tenka. Tutje, ajo ka theksuar se ju kishte ofruar 5 mijë marka forcave serbe për të shpëtuar, por të njëjtit nuk i kishin ofruar.

Sot bëhen 25 vjet nga Masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.