Sporti

E konfirmon ministri: Turqia do të aplikojë për të organizuar Kampionatin Evropian të futbollit

09/25/2022 11:37
nga:L J

Kampionati Evropian i futbollit do të mbahet në Gjermani në vitin 2024 dhe ende nuk është përcaktuar nikoqiri i kompeticionit për vitin 2028.

Një nga kandidatët për të pritur Euro 2028 dhe 2032 do të jetë Turqia, deklaroi ministri i Rinisë dhe Sporteve, Mehmet Muharrem Kasapoglu në asamblenë e përgjithshme të Shoqatës së Klubeve Evropiane.

Stambolli do të mirëpresë finalen e Champions League vitin e ardhshëm. Ministri theksoi gjithashtu cilësinë e lartë të Superligës turke, si dhe investimet e mëdha në sport dhe infrastrukturë.

Turqia gjithashtu aplikoi për organizimin e Euros në vitin 2024, të cilin UEFA ia dha Gjermanisë. Me sa duket, problemi atëherë ishte mungesa e respektimit të të drejtave të njeriut në Turqi.

Është interesant fakti që Turqia ka aplikuar për organizimin e Euros në vitet 2008, 2012, 2016 dhe 2020, por asnjëherë nuk ka pasur sukses kandidatura.

Oferta e përbashkët për të pritur Euro 2028 u theksua nga shoqatat e futbollit të Anglisë, Irlandës së Veriut, Republikës së Irlandës, Skocisë dhe Uellsit.

/GazetaBlic Sport