Lajme

E FUNDIT: Specialja vazhdon paraburgimin ndaj Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit

12/09/2021 14:55
nga:M K

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ua kanë vazhduar paraburgimin ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK),Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Kështu u bë e ditur nga vetë Gjykata Speciale përmes faqes së saj zyrtare.

“Pas urdhrit të tij drejtuar Policisë së Kosovës, më 8 tetor, si dhe parashtrimeve nga Policia e Kosovës dhe nga palët, Gjykatësi i Procedurës Paraprake në çështjen Thaçi dhe të tjerët urdhëroi mbajtjen e mëtejshme në paraburgim të Veselit, Krasniqit dhe Selimit”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’).

Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’).

Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.