Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur lidhur me takimin e sotëm në Bruksel ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe drejtorit të të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq për ta gjetur një zgjidhje për çështjen e bllokimit të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Kurti tha se uron dhe shpreson që atje të gjendet zgjidhja.
Kurti, ndër tjerash, tregoi po ashtu propozimin që e mori të hënën nga komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, Franco Federici. Ai tha se i është propozuar që të hiqen barrikadat dhe pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të zëvendësoheshin nga anëtarë të KFOR-it.
“Me sa jam në dijeni, zëvendëskryeministri ynë, Besnik Bislimi do të zhvillojë takime të ndara me emisarin Miroslav Lajçak, dhe më pas mbase do të ketë takim me homologun e tij nga Serbia në këtë takim. Unë uroj e shpresoj që të gjendet zgjidhja aty. Gatishmërinë tonë e kemi treguar edhe të hënën në mëngjes kur erdhi te unë komandanti i KFOR-it, i cili pak a shumë e dha një propozim, që ishte racional e që nënkuptonte heqjen e barrikadave dhe zëvendësimin e njësive speciale deri në një qetësim të situatës nga pjesëtarët e NATO-s apo KFOR-it. Policia kufitare do të ngelej në Bërnjak apo Jarinjë dhe reciprociteti i targave do të vazhdonte. Ne në parim e kemi pranuar këtë”, tha Kurti.
Ai shtoi se propozimi i njëjtë u refuzua nga Serbia.
Më tej, ai ka bërë të ditur edhe kërkesën e grupit të partisë në mbledhjen e sotme të kryesisë.
“Ju e dini që gjendja në veri në shtatë vitet e fundit ka ndryshuar për të mirë. Nuk duhet të lejohet kurrfarë organizimi paralel karshi institucioneve të Kosovës. Një prej çështjeve që e kam ngritur është edhe shqetësimi që ka të bëjë me votimin e anëtarëve të gjykatës kushtetuese. Duhet të procesohet në seancë plenare për votim. Edhe kësaj here nuk ka pasur konsensus. Kjo çështje nuk duhet të shtyhet pafundësisht. Është e rëndësishme që ne si kuvend të jemi të përgjegjshëm karshi këtij institucioni”, ka thënë ai.