Lajme

“E fshehu elefantin në dhomë” – PDK e shqetësuar për qasjen e Kurtit në dialog me Serbinë

06/29/2021 13:23
nga:Gazeta Blic

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi, ka hedhur kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti, rreth qasjes së tij ndaj temës së dialogut me Serbinë.

Deputetja Musliu-Shoshi, thotë se Kurti e injoronte dialogun me Serbinë, duke u marrë me fushatë zgjedhore dhe premtime rreth punësimeve dhe ekonomisë.

Ajo thekson se kryeministri aktual, e ka pasur të lehtë të bënte kritika gjatë periudhës sa ka qenë në opozitë, por që sipas saj, tani që është në pushtet njerëzit presin nga ai që të bëjë zgjidhje edhe për temën e dialogut.

“Deri më tani z.Kurti bënte fushatë për ekonomi, punësim dhe pandemi dhe injoronte elefantin e madh që e kishte në dhomë, që e konsideronte prioritet thuajse të fundit, e që është dialogu Kosovë-Serbi. Tërë kohën nga viti 2011 ka qenë kundër të gjitha temave që janë trajtuar. Ndërsa, sot nuk tregon zgjidhje. Pra, për të gjithë këto vite në opozitë, z.Kurti është dashuer që të ketë një platformë të gatshme se si do i qaset këtij problemi, sepse dialogu nuk është një akt por një proces. Tani, z.Kurti e ka fuqinë që vetë t’i shtyej gjërat përpara, pikërisht ato të cilat i ka kundërshtuar në vazhdimësi. Pra, është shumë e lehtë prej pozicionit opozitar të kundërshtosh gjithçka, por tash kur vetë është në pozitën e të parit të qeverisë dhe vetë është përgjegjës për dialogun, më nuk ka asnjë arsye që të ankohet. Por, duhet të punojë dhe të avancojë agjendën e Kosovës ndërkombëtarisht. Ne nuk dimë se çka po synon Kosova në dialog. Nuk kemi platformë e as strategji. Aq më tragjike është se kemi një qeveri e cila nuk është e gatshmë që të raportojë për këtë proces. Qeveria Kurti është pa transparencë në procesin e dialogut. Kjo i kushton shumë demokracisë dhe të ardhmes së këtij vendi”, ka thënë Ariana Musliu – Shoshi për Gazeta Blic.