Sporti

E ardhmja e Luka Modric mbetet e paqartë

06/10/2026 10:21
nga:Mergim Rreci

Kapiteni i Kroacisë, Luka Modric, ka udhëtuar me kombëtaren në Kupën e Botës, por e ardhmja e tij në nivel klubesh vazhdon të mbetet e paqartë.

Mesfushorit 40-vjeçar i skadon kontrata me Milanin më 30 qershor dhe ende nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë bashkëpunimin me klubin italian. Sipas të përditshmes italiane La Gazzetta dello Sport, Milani i ka lënë dorë të lirë veteranit kroat për të marrë vendimin që ai e konsideron më të mirin për karrierën e tij.

Modric iu bashkua Milanit pas një karriere të lavdishme te Real Madridi, ku u bë lojtari më i dekoruar në historinë e klubit me 28 trofe. Në sezonin e fundit me kuqezinjtë, ai zhvilloi 37 ndeshje, duke shënuar dy gola dhe duke dhënë tre asistime.

Sipas raportimeve nga Italia, gjasat që Modric të qëndrojë në “San Siro” vlerësohen rreth 45 për qind, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret pas përfundimit të Kupës së Botës.

/GazetaBlic Sport/