Sporti

E ardhmja e Asllanit mund të jetë edhe jashtë Italisë

01/07/2026 15:25
nga:Mergim Rreci

Kur Interi dhe Torino gjetën akordin për huazimin me të drejtë blerjeje për Kristjan Asllanin, e bënë edhe me miratimin e vetë lojtarit, për të cilin qëndrimi në Serie A ishte një kusht i panegociueshëm.

Sot situata ka ndryshuar pasi koha nuk punon për asnjërën prej palëve pasi nga fundi i merkatos së dimrit na ndajnë shuma pak javë.

Torino ka vendosur pas gjashtë muajsh huazim për të mos ushtruar të drejtën e blerjes për 12 milionë euro. Kështu si Interi edhe lojtari janë të detyruar që të gjejnë një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur pasi muaj të tjerë në Torino do të ishin një minus i madh si për futbollistin edhe për zikaltrit.

Në aspektin profesional Asllani rrezikon shumë pasi i duhet që të gjejë një ekip ku të ketë mundësi për të luajtur rregullisht. Ndërsa në planin financiar Interi po tenton gjithçka për të sistemuar sa më shpejt këtë çështje pasi nëse lojtari nuk do të aktivizohet rregullisht në muajt në vazhdim atëherë vlera e tij në merkato do të ulet edhe më shumë. Të gjendur në luftë me kohën si Asllani edhe Interi janë gati që të heqin dorë nga qëndrimet e tyre që kishin gjatë verës. Interi mund të pranojë tani edhe më pak para në këmbim të lojtarit ndërsa ky i fundit mund të jetë i hapur edhe për opsione që mund të vijnë nga klube, të cilat nuk militojnë në Serie A.