Lajme

E akuzoi për zhvatje, nepotizëm dhe punësime partiake, Bulliqi: S’kam kohë për të, as partia e tij s’merret me Agim Veliun

03/28/2023 13:55
nga:Genita C

Ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu, e ka kritikuar kryetarin aktual Shpejtim Bulliqin për zhvatje, nepotizëm dhe punësime partiake.

Ndërsa, Bulliqi në një prononcim për GazetaBlic theksoi se nuk ishte në dijeni për çfarë po kritikohej nga Veliu.

Bulliqi shtoi se nuk ka kohë të merret me deklarata të tilla, pasi sipas tij me deputetin Veliu nuk po merret as partia e tij, LDK.

“Nuk kam kohë me u merrë me të, as partia e tij s’po merret me çka thotë ai”, tha shkurt Bulliqi.

Reagimi i plotë i Veliut:

Erdhën në pushtet duke proklamuar qeverisje pa korrupsion, pa nepotizëm, pa krime me tendera e punësime publike. E dinin dhe i njihnin kush janë ata që po premtonin, por ua besuan pushtetin. Mirëpo, shpejt u bindën se e tëra ishte rrenë dhe mashtrim.

Ende pa u ulë në “fron”, kreu i mashtruesve të LVV-së në Podujevë, nisi zbatimin e programit qeverisës korruptiv, përmes zhvatjes, nepotizmit dhe punësimeve partiake.

Përveç kësaj, kreu i mashtruesve në Komunën e Podujevës, nisi fushatën e egër të spastrimeve brenda administratës komunale. Strategjia që zbatoi nga dita e parë ishte ajo e frikësimit, presionit dhe kërcënimit në forma të ndryshme të largimit nga vendi i punës.

Diskriminimi vazhdoi përmes ndërrimit të vendeve të punës për punëtorët e administratës, duke i ulë në pozita. Kryetari aksidental e bëri këtë si formë presioni ndaj shërbyesve civilë, që të dorëzohen dhe ta lëshojnë punën. Të gjitha këto i bëri në mënyrë të kundërligjshme. Dëshmi për këtë janë vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, i cili i shpalli të paligjshme vendimet e kryetarit të Komunës.

Qeverisjes abuzuese të kryetarit aksidental nuk i rrezistuan as bashkëpunëtorët e tij në ekzekutiv, duke u dorëhequr nga pozitat e drejtorëve.

Këtij pushteti që u instalua përmes rrugës dhe këtij kryetari abuziv, shpejt u doli boja.

Jo që nuk bënë asgjë të mirë për komunën dhe qytetarët e saj, por që nga dita e parë qeverisën me platormën e abuzimit me shërbyesit civilë dhe mashtrimit të qytetarëve.

Kryetarit mashtrues dhe abuzues duhet t’i thuhet ndal!